Mëngjesin e sotëm e ftuar në studion e emisionit “Wake Up” ishte gazetarja e njohur, Iva Tiço. Prej disa javësh atë e shohim çdo të diel në ekranin e Top Channel, pasi është opinioniste në “Fan Club BB VIP”.

Gjatë intervistës së sotme, Iva zbuloi se sa shumë mesazhe merr në inbox-in e saj, ku fansat e banorëve e akuzojnë se mbështet njërin apo tjetrin.

“E di si më duket vetja ndonjëherë, po mendoja këtë të diel, më kujtohet një thënie e vjetër e futbollistëve që thoshin “një javë ti fiton dhe të mbajnë në shpatulla, pastaj javën tjetër ti humb dhe vijnë të thyejnë xhamat e shtëpisë”.

Në këtë rast nuk na thyejnë xhamat e shtëpisë, por mua më vjen për të qeshur se si ndryshon bursa ime. Para një jave u sulmova në inbox-in tim si fansja e Donaldit që turp të më vinte mua dhe gjithë produksionit tonë në këtë rast “Fan Club”-it që nuk mbështesnim Ilirin. Kësaj radhe jam vënë me shpatulla pas murit, moj turp të kesh, s’të vjen zor që je kaq e afruar me Ilirin dhe bën çdo gjë se je pjesë e pazarit të Ilirit.

Një javë jam kundër Donaldit, një javë jam kundër Einxhel. I bie që fansat të kenë në kujtesë shumë të shkurtër ose fokusohen te një thënie për personazhin e tyre të preferuar. Por është pjesë e punës dhe unë nuk e kam problem”, tregoi gazetarja e njohur.