Nga Frrok Çupi

Njeriu që zgjati dorën dhe shpoi ‘thesin’ me pagat, më duket se bëri një punë arti. Ka ndodhur javën e kaluar dhe ‘alarmi’ ka marrë dhènë. Këta e quajtën punë ‘skandali’ pa e menduar më gjatë. As ai, apo ata, që kryen aktin e ‘rrjedhjes’ së sekreteve, nuk besoj se kanë besuar se po bëjnë ‘art’; por ja që kështu ndodhi.

Si në një lojë arti me maska, kur aktori Tom Cruise në filmin ‘Eye Wide Shut’, lëvizte lirshëm në sallën e mbushur me njerëz krejt të zhveshur por me maska në fytyrë. Qe një moment kur lojtari i madh i filmit ‘se ku la maskën e fytyrës’, por ç’rëndësi kishte(!) përderisa në trup kishte veshje. Erdhi çasti kur rojet i kërkojnë të zhveshë rrobat.

Kjo ishte tragjike!

Kur kishin maska, bëhej edhe pa veshje; por teksa ka rënë maska, çfarë tmerri t’i vijë radha veshjes?!… Filmi i regjisorit të famshëm Stanley Kubrick, ka më shumë se dy dekada që transmeton mesazhin e lakuriqësisë pas rënies së maskave. Puna e kryer nga dora që hapi thesin e pagave sekrete, edhe pse aq e thjeshtë, por patjetër që është një ‘art’ me maska.

Një pjesë e madhe njerëzish u tronditën se ‘ky është një skandal’. Po, një ‘skandal’ mund të quhet, të paktën sipas moshës shumë të re të demokracisë sonë, dhe gjithashtu sipas ‘totalitarizmit’ që mban brenda zhavorri i demokracisë sonë. Por pa ‘skandale’, vallë si ta korrigjojmë ‘demokracinë’. Në manualet e famshme mbi Demokracinë, teoricienë të shtetit e kanë konsideruar skandalin një ‘qen roje të demokracisë’. Në shoqëritë totalitare nuk ka asnjë skandal; aty banesat janë pa perde dhe pa gardhe, divanet dhe sobat janë njësoj të gjitha, rrogat janë të barabarta, shtëpia jote nuk të përket ty…

S’ka asnjë maskë.

Skandali i hapjes së thesit nxori në shesh jetesën e lartë dhe jetesën e ulët. Jo thjesht ‘pagat’, por zotësinë e dikujt për t’u zhytur në lëmin e pasurisë së kombit dhe pazotësinë e të tjerëve për të marrë aty bukën e fëmijëve. Edhe në këtë rast ka një ‘qen roje’, por ky ruan te dera e sekretit të rrogave në favor të ‘të shkathëtëve’. Me rrjedhjen ‘skandaloze’, e fshehta doli në dritë të diellit.

Kjo maskë ka rënë.

Kush e hodhi poshtë maskën e parë të shoqërisë sonë? Të gjithë po e kërkojnë e nuk po e gjejnë; as ka për t’u gjetur ndonjëherë. E ç’e se e gjetët; do ta bëni hero? As këtë nuk e bëni dot kurrë; të paktën derisa në sallën mondane atyre njerëzve t’u hiqen edhe rrobat. Kjo mund të vijë pas ‘skandalit të parë’. Deri tani nuk kishte ndodhur, vetë shteti dhe enturazhi i tij, ndodhen prapa maskave.

Çfarë nuk ka dalë akoma nga maskat:

Doktori vrau njerëz; njeriu ‘i ndershëm’ vodhi pasurinë e publikut; demokracia u kthye në një komunizëm më të egër; pronën e pronarit e mori një ‘ufo’; patrioti ditën thërriste për kombin por natën furnizonte me energji kasapin e kombit- Milloshevicin ose Mlladicin; presidenti hyri në zyrë si një ‘kalë prej druri’ i mbushur me militantët kundër shtetit; persekutorët u fshehën si moralistë; prapa vjedhjes së fëlliqtë qëndron një njeri me kravatë; tenderin e fitoi një njeri që nuk duket; vrasjen kush e bëri e kush e pagoi?, deri te kreu i shtetit shkon hija… Të gjitha rrinë pas murit të hekurt.

Kjo u zbulua pas maskës së parë. Prandaj na lind e drejta të hamendësojmë se ‘cili i zbuloi pagat?’. Mund të jetë një njeri kureshtar i thjeshtë që i ranë në dorë ‘datat’ dhe këtë e bëri si lojë fëmijësh; mund të jenë partnerët tanë që u lodhën duke e parë popullin të fshehur pas maskave të ‘engjëjve’; mund të jetë vetë drejtësia që po përgatit hapjen e perdeve dhe të maskave të djajve…

Pas maskave, sigurisht, është radha e veshjeve.

Kjo e ka tmerruar ‘sallën mondane’ ku luhet arti me maska, si i Tom Cruise. Do të shikojmë se sot pa shohim pako gjë reale. E gjitha është ‘alias’. Kurrë nuk kemi pyetur nga vjen lideri ynë… Ish presidenti i Republikës dhe ish- kryeministër…, kurrë nuk ka zbuluar cila ishte origjina e tij; a ishte praktikant i krishterë apo mysliman; a kishte rrahur apo vrarë njeri; a kishte marrë në qafë njerëz gjatë diktaturës; pse dha urdhër për të shkatërruar ekonominë që në vitin 1990; po gjatë postit të lartë a kishte dhënë urdhër për të vrarë në popull; sa human e njihte veten?… As presidentin që kemi nuk e njeh njeri cili është; as gjyshin, as fisin, as arsimin e tij, as sa të gjatë e ka vegjetacionin e trurit; as shijet e artit; as marrëdhënien me mafiozët…

Flitet se në këtë vend është vjedhur aq pasuri e publikut saqë mbulon njëzet herë këtë pasuri që kemi…, po ku ndodhet tani?, a do të vihen në pranga vjedhësit?, a do të kthehet pasuria?, kur do të kthehet?…

Prandaj ata u alarmuan shumë për ‘skandalin e parë’ që hoqi maskat.

Tani pritet të dalin lakuriq