Sipas të dhënave nga Izraeli, vaksina Pfizer është 90% efektive kundër variantit Omicron. Varianti Omicron u zbulua për herë të parë në Botsvana, dhe është përhapur me shpejtësi kudo duke detyruar vendet të marrin masa për të parandaluar përhapjen e tij.

Sipas studimit, Pfizer ka rezultuar 93% efektive kundër variantit Delta dhe 90% efektive kundër Omicron. Shenjat pozitive për efektivitetin e vaksinave kundër Omicron janë konfirmuar edhe nga ministri izraelit i Shëndetësisë, Nijan Horoviç.

“Në ditët në vijim do të kemi informacione më të sakta për efektivitetin e vaksinës kundër Omicron, por tashmë ka vend për optimizëm, pasi kemi indikacione fillestare se personat që janë vaksinuar kundër Covid janë të mbrojtur, tha Horoviç.

Gjithashtu sipas të dhënave fillestare të hulumtimit, mutacioni Omicron është 1.3 herë më ngjitës në krahasim me Delta. Vlen të përmendet edhe fakti se personat që nuk janë vaksinuar kanë 2.4 herë më shumë gjasa të zhvillojnë simptoma të rënda për shkak të Omicron në krahasim me Delta.