Shkencëtarët në Afrikën e Jugut thonë se mutacioni i ri Omicron mund të jetë tre herë më ngjitës krahasuar me variantet e mëparshme të koronavirusit si Beta dhe Delta.

Analiza statistikore e rreth 2.8 milionë mostrave pozitive me koronavirus në Afrikën e Jugut, nxori se 35 mijë e 670 prej tyre dyshohet se janë infektuar për herë të dytë, kjo e dhënë i çoi studiuesit në përfundimin se mutacioni Omicron ka një “aftësi të konsiderueshme për të shmangur imunitetin e krijuar nga infeksionet e mëparshme”.

Ata thonë se aftësia për të infektuar për herë të dytë njeriun krijon mundësinë për të kuptuar vetëm një anë të mënyrës se si varianti i ri është përhapur. Studiuesit zbuluan se rreziku gjithmonë në rritje për mënyrën e ri-infektimit është në përputhje me shfaqjen e variantit Omicron në Afrikën e Jugut.

Pyetjet në lidhje me nivelin e mbrojtjes që ofrojnë vaksinat ekzistuese kundër mutacionit të ri ende mbeten pa përgjigje, pasi shkencëtarët nuk kishin akses tek të dhënat e imunizimit.

Një prej tyre, Juliet Pulliam, epidemiologe në Afrikën e Jugut dhe një nga autorët e studimit, tha se vaksinat mund të ofrojnë ende mbrojtje, pasi shmangin sëmundjet e rënda dhe vdekjet.

“Të kuptosh se Omicron mund krijojë më shumë të infektuar është një e dhënë e rëndësishme”, shkruan Pulliam në Twitter.

Mësohet se imuniteti i krijuar nga infeksionet e mëparshme ka qenë diçka thelbësore për të ndihmuar vende si Afrika e Jugut dhe Botsvana, të cilat kanë ende një shkallë të ulët vaksinimi dhe për rrjedhojë mundësi shumë të pakta për të menaxhuar pandeminë.

“Prioriteti ynë tani është të përcaktojmë masën e imuntetit ndaj Omicron, si për atë natyror dhe si për atë të fituar nga vaksina, gjithashtu edhe transmetueshmërinë në lidhje me variantet e tjera dhe ndikimin e tij në ashpërsinë e sëmundjes”, tha Harry Moultrie, një ekspert i sëmundjeve infektive.

Rastet me koronavirus në Afrikën e Jugut po shtohen nga dita në ditë, ndërsa frika për mutacionin e ri Omicron vazhdon të rritet.

“Omicron është ndoshta varianti me përhapjen më të shpejtë që ka parë ndonjëherë Afrika e Jugut”, tha Tulio de Olivera, një profesor i shëndetit publik në Universitetin Stellenbosch të Afrikës së Jugut.

Vetëm 6 për qind e popullsisë së Afrikës është vaksinuar plotësisht. Në Afrikën e Jugut, më pak se 30 për qind e njerëzve janë imunizuar plotësisht. Zyrtarë të shëndetit publik në vend kanë paralajmëruar se keqinformimi në faqet e mediave sociale po pengon vaksinimin, veçanërisht tek moshat e reja.