Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur në seancë ditën e sotme, ku po zhvillohen diskutime për një sërë çështjesh. Fillimisht diskutimet janë ndalur mbi projektligjin për ratifikimin e memorandumit me SHBA lidhur me vendosjen e kufizimeve të importit të kategorive të materialeve arkeologjike dhe etnologjike të Shqipërisë.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, gjatë fjalës së mbajtur ditën e sotme në Kuvend u shpreh se në 8 vite qeverisje janë hapur kantierët për 6 muze dhe 6 qendra teatrore në republikë, si dhe janë bërë investimet për qendra historike, investime këto që lidhen ngushtë me zhvillimin e turizmit në vend.

Spiropali tha se në samitin e demokracisë që do të mbahet sot në SHBA, një iniciative ë qeverisë Biden, përfshin të gjithë vendet demokratike apo me qasje demokratike, dhe pjesë e këtij samiti do të jetë edhe Kryeministri Edi Rama.

Më tej, sipas Spiropalit, Reforma në Drejtësi edhe ‘pse u shpall e vdekur që në lindje’ sot është ngritur me të gjitha institucionet e saj, ndërsa deklaroi se po vazhdon lufta kundër korrupsionit ndërsa përmendi digjitalizimin e shërbimeve revolucion të marrëdhënieve me shtetin.

Pjesë nga fjala e Elisa Spiropalit:

Në 8 vite ne kemi hapur kantieret për 6 muze dhe 6 qendra teatrore në republikë, për të mos folur për investimet për qendrat historike që kanë patur një prioritet absolut duke u lidhur ngushtë me turizmin në vend. Edhe ky memorandum i rëndësishëm me SHBA vjen në këtë funksion. Sot çelet samiti për demokracinë, iniciativë e Biden që përfshin vendet demokratike apo me qasje demokratike, nuk është rastësi që Edi Rama dhe qeveria janë ftuar për të marrë pjesë në këtë samit që nis sot dhe vijon vitin tjetër me takim në SHBA. Mbështetja e padiskutuar e SHBA për konsolidimin në vend, luftën kundër korrupsionit dhe asistencën që i kanë dhënë Shqipërisë është gur themeli për demokracinë tonë të re.
Dje ishte festë, dita e rinisë, përkujtimi i një dite kur shqiptarët u ngritën për tu çliruar nga një sistem që i robëroi materialisht dhe i zhveshi nga identiteti individual. 31 vite më vonë kemi më shumë punë për të bërë ende.

Ne kuptojmë ashtu si ky samit përcakton sot qartë disa piketa në luftën kundër korrupsionit që vijojnë dhe ndjekin urdhrat e Biden edhe për Ballkanin Perëndimor. Sot edhe pse u shpall e vdekur që në lindje, sot Refoma në Drejtësi është ngritur me të gjitha institucionet e saj, ka dhënë shembullin me të qartë se kur ke vullnetin për të ndryshuar sistemin mund ta bësh. Reforma në Drejtësi është nga pikat që diskutohet dhe arsyeja që Shqipëria është në këtë tryezë të rëndësishme. Lufta kundër korrupsionit dhe qasja që kemi me platformën e re të korrupsionit, me digjitalizimin. Me digjitalizimin e të gjitha shërbimeve që është revolucion i marrëdhënieve me shtetin. Ne jetojmë në një botë e cila është gjithmonë e më e rrezikuar nga qasjet e dhunshme apo minimi i demokracisë. Është e papranueshme që të zhytemi në një politikë e cila denigrimin, cenimin e dinjitetit të tjetrit e ka parim. Ne e kemi vuajtur për thuajse 30 vite. Në samitin e demokracisë sot, jemi krenar për Shqipërinë për të gjitha reformat që ka ndërmarrë!