Përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia kanë caktuar një datë për të diskutuar tensionet rreth Ukrainës, deklaroi Shtëpia e Bardhë.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare deklaroi se bisedimet me Rusinë do të zhvillohen më 10 janar, si pjesë e një dialogu strategjik të sigurisë.

”Të dyja palët do të jenë në gjendje të ngrenë shqetësimet e tyre gjatë takimit”, deklaroi Uashingtoni zyrtar.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Rusia dhe NATO planifikojnë të mbajnë bisedime të veçanta dy ditë më vonë, më 12 janar.

Zyrtarët e NATO-s kishin thënë tashmë se data ishte në shqyrtim për një takim të Këshillit NATO-Rusi, i pari në dy vjet e gjysmë.

Sipas administratës së SHBA, një takim i këshillit të përhershëm të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) do të mbahet në 13 janar.

Rusia kërkon të ndalojë zgjerimin e NATO-s drejt lindjes dhe të parandalojë pranimin e Ukrainës, të cilën ajo e sheh si një kërcënim.

Për javë të tëra, Perëndimi ka qenë i shqetësuar për raportet se Rusia ka grumbulluar dhjetëra mijëra ushtarë në zona jo shumë larg Ukrainës.