Prej kohësh data e konferencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian ka mbetur pezull, jo për shkak të vendit tonë, por mosmarrveshjeve të Maqedonisë së Veriut me fqinjin e tyre lindor Bullgarinë, e cila pengon çeljen e negociatave.

Por duket se kjo mund të ndryshojë shumë shpejt. Kryeministri i ri bullgar premton një kthesë. Në një intervistë të dhënë për ‘Financial Times’ ai thotë se Sofja do t’i japë fund pengimit të përpjekjes së Maqedonisë së Veriut për t’u bashkuar me BE-në sapo qeveria e tij e re të marrë detyrën në javët e ardhshme.

“Ne do të propozojmë një proces të ri për Maqedoninë e Veriut, shumë të shpejtë, me një afat kohor të kufizuar, vetëm gjashtë muaj. Sapo vendosim të mirat në tryezë… diskutimet për kompromise janë shumë më të lehta. Ne do të përdorim grupet e punës për të gjetur zgjidhje për çështje të tilla si aktiviteti i përbashkët ekonomik, infrastruktura, kultura dhe historia. Një klimë pozitive do të hapte rrugën për perspektivën evropiane të Shkupit”, ka thwnw Petkov.

Kujtojmë se qershorin e kaluar ministrat e jashtëm të vendeve të BE nuk vendosën dot një datë se kur do të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pengesë këtë herë u bë Maqedonia e Veriut pas vetos që i vendosi Bullgaria. Ndryshe nga konferencat e mëparshme, Shqipëria brenda dy viteve të fundit arriti të mposhte skepticizmin e disa vendeve anëtare të cilët konsideronin se Shqipëria nuk përmbushte kushtet për hapjen e negociatave të anëtarësimit, por kësaj here ajo ishte kurban i probleme të Maqedonisë së Veriut.

Po pse Bullgaria po pengon Maqedoninë e Veriut? Qeveria bullgare ishte kundër konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut, për të vazhduar negociatat me qeverinë e këtij vendi. Bullgaria kërkon nga Maqedonia e Veriut të njohë rrënjët bullgare në gjuhën dhe historinë e saj. Madje u dëgjua edhe kërkesa për njohjen e gjuhës së vendit jo si maqedonishte, por si dialekt i bullgarishtes.