Omicroni po bën kërdinë në Greqi. Rekordet nuk kanë të ndalur në shtetin fqinj ku në 24 orët e fundit janë shënuar 28 828 raste të reja me COVID.

Mediat bëjnë me dije se pothuajse 13 mijë raste janë zbuluar në Atikë e cila ka qenë epiqendra e shpërthimit të virusit për muaj me radhë, ndërkohë në Athinë janë konfirmuar pozitivë 4 mijë qytetarë.

Gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur jetën 72 persona, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 20 636 në total që prej fillimit të pandemisë.

Numri i pacientëve që po trajtohen në intubim aktualisht është 620. Prej tyre, 529 janë të pavaksinuar ose kanë marrë vetëm një dozë vaksine.

Në 24 orët e fundit në spitale janë shtruar 413 pacientë të rinj me COVID, ndërsa mesatarja e 7 ditëve të fundit është 330 pacientë të shtruar në ditë.