Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në SHBA njoftoi sot se, rreziku i vdekjes dhe shtrimeve në spital nga varianti Omicron është më i ulët në krahasim me variantin Delta.

Drejtoresha e CDC, dr. Rochelle Walensky në një deklaratë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë vuri në dukje se, pavarësisht se varianti Omicron është përhapur me shpejtësi në javët e fundit, normat e shtrimeve në spital dhe vdekjeve nga ky variant janë më të ulëta në krahasim me variantin Delta.

Walensky raportoi se numri i rasteve pozitive është rritur me 60 për qind në krahasim me javën e kaluar duke arritur në rreth 240 mijë raste ditore dhe se shtrimet në spital kanë arritur në 9 mijë me një rritje prej 14 për qind.

Drejtoresha e CDC-së tërhoqi vëmendjen se normat e vdekjeve kanë shënuar një rënie prej 7 për qind janë me një mesatare rreth 1.100 në ditë.

Drejtori i Institutit Amerikan të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, dr. Anthony Fauci bëri të ditur se, në krahasim me variantin Delta, Omicron do të ndjekë një ritëm më të ulët lidhur me rastet pozitive dhe shtrimet në spital dhe se vaksinat e COVID-19 do të kenë një rëndësi kritike për luftën kundër virusit.

Fauci tha se, mund të ketë nevojë për një dozë të dytë shtesë kundër variantit Omicron. Ai shtoi se nuk ka të dhëna të mjaftueshme sesa mbrojtje mund të sigurojnë vaksinat aktuale përforcuese.

Walensky dhe Fauci, gjithashtu paralajmëruan se të dhënat reale lidhur me vdekjet dhe shtrimet në spitale mund të verifikohen dy javë më vonë.