Reshjet e dendura të dëborës kanë shkaktuar probleme të dielën në pjesën më të madhe të Ballkanit, duke ndërprerë edhe transportin publik.

Fluturimet u anuluan në aeroportin kryesor të Serbisë në Beograd të dielën dhe shumë zona raportuan ndërprerje të energjisë elektrike dhe dëmtime në banesa.

Pjesa më e madhe e Serbisë perëndimore ishte pa energji elektrike, pasi autoritetet paralajmëruan qytetarët të ndërpresin udhëtimet e panevojshme, duke u bërë thirrje njerëzve që të kursejnë energjinë.

Për shkak të dëborës janë dëmtuar disa makina dhe banesa në Beograd.

Disa fluturime nga dhe në aeroportin kryesor të Beogradit u anuluan për shkak të kushteve të motit.

Një autostradë që të çon në aeroport u bllokua për disa orë për shkak të trafikut të krijuar si pasojë e reshjeve të dëborës.

Pasagjerë të një treni u bllokuan për rreth 7 orë, deri sa u arrit të transportoheshin përmes një autobusi për në Beograd.

Shërbimet e urgjencës kanë ndihmuar autoritetet në operacionin e pastrimit, ndërsa është dhënë një tjetër alarm për më shumë reshje dëbore dhe ngrica.

Ndërkohë, në Bullgari, shirat e dendur dhe përmbytjet e mëdha kanë shkatërruar pjesën jugore të vendit gjatë fundjavës, duke detyruar autoritetet atje të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme.

Zonat më të goditura janë rajoni Smolyan, pranë kufirit me Greqinë, ku lumenjtë dolën nga shtrati i tyre dhe përmbytën rrugë e banesa.

Disa kamionë kanë mbetur të bllokuar nga rrëshqitja e dherave në një rrugë ndërqytetëse.

Autoritetet thanë se erërat e forta ndërprenë furnizimin me energji elektrike në disa fshatra.

Në Shqipëria, policia, ushtria dhe forcat e emergjencës dolën në terren për t’u ardhur në ndihmë banorëve në zonat e përmbytura pas tre ditë reshje të vazhdueshme shiu dhe dëbore.

Lumi Vjosa në jug përmbyti shumë zona. Një çift të moshuarish që kishte qëndruar gjatë natës në çatinë e shtëpisë së tyre në jugperëndim të vendit u shpëtua nga policia në orët e para të mëngjesit.

Shumë rrugë u bllokuan si pasojë e rrëshqitjeve të dherave, kurse në zona të tjera të vendit, si në verilindje dhe juglindje, dëbora e dendur ka penguar ose bllokuar përkohësisht qarkullimin e mjeteve.