Më shumë se një vit pas daljes së vaksinave kundër Covid-19, rastet e reja të infeksioneve në Shtetet e Bashkuara kanë shënuar një rekord të ri me një mesatare ditore prej 265 mijë rastesh, kryesisht për shkak të variantit shumë të transmetueshëm Omicron.

Rastet e reja ditore janë dyfishuar në dy javët e fundit. Rekordi i mëparshëm ka qenë në janar të këtij viti me 250 mijë raste në ditë.

Numri i amerikanëve të shtruar në spital është rreth 60 mijë, ose sa gjysma e shifrave të janarit. Gjendja në spitale mund të jetë një pasqyrim i ndikimit të vaksinave, si dhe mundësisë që variant Omicron nuk shoqërohet me simptoma të rënda.

Rastet e vdekjeve janë shtuar gjatë dy javëve të fundit, nga 1200, në një 1500 në ditë.

Të dhënat tregojnë se shtrimet në spital janë më të shumta mes të pavaksinuarve. Nuk pritet që shtrimet në spital të arrijnë nivelet e larta të së kaluarës, thotë Amesh Adalja, ekspert i shëndetit publik në universitetin Johns Hopkins.

Vaksinat dhe kurat e tjera kanë ndihmuar në uljen e numrit të infeksioneve dhe minimizimin e rasteve të rënda. “Do të duhet kohë që të mësohemi me faktin se numri i rasteve sot, nuk ka më atë kuptim si në të kaluarën”, thotë zoti Adalja.

E njejta gjendje e rëndë po vihet re edhe në Evropë. Disa vende si Franca, Greqia, Britania dhe Spanja kanë shënuar nivele rekord infeksonesh këtë javë.