Ralf Rangnick ka dalë në konferencën e parë për shtyp si trajner i Manchester United. Nuk ka dyshim se është një figurë mbresëlënëse, flet me inteligjencë, ofron njohuri të shkëlqyera dhe ka ardhur me synime të qarta në “Old Trafford” për të bërë ndryshime. Rivalët janë të paralajmëruar, duhet të përgatiten për të parë Manchester United në formë dhe shpejt.

Rangick foli për të jetuarit në Brighton kur ishte më i ri dhe të mësuarit e sekreteve të futbollit britanik duke përcjellë ndeshje aty: “Do të gjeni pak klube futbolli me kaq shumë mbështetje. Ky është futbolli në kuptimin më të pastër. Është më se emocionuese të jesh pjesë e kësaj atmosfere. Kjo do ta ndihmojë çdo skuadër, veçanërisht lojtarët që vijnë nga jashtë Anglie për t’u ngjitur në një nivel më të lartë”.

Duke folur për Cristiano Ronaldon, Rangnick u tregua diplomatik: “Duke e parë atë mbrëmë, veçanërisht në pjesën e dytë, bëri diferencën. Në moshën e tij nuk kam parë kurrë një lojtar që është aq i aftë fizikisht. Ajo që pashë nga Cristiano dje më entuziasmon. Ai është më se i gatshëm ta vendosë veten në shërbim të ekipit. Nuk janë vetëm lojtarët që duhet të përshtaten, edhe skuadra duhet të përshtatet me lojtarët”.

Rangnick thotë se “Brexit” nuk do ta bëjë të lehtë marrjen e trajnerëve nga jashtë Anglisë. Ai shton se u takua me Carrick disa ditë më parë, ku i tregoi se e kishte marrë tashmë vendimin për t’u larguar: “Do të përpiqem të marr një, dy ose tre persona në stafin tim stërvitor së shpejti, por nuk është aq e lehtë me çështjet e vizave të Brexit”.

Gjermani është optimist për talentin në skuadrën e Manchester United: “Unë mendoj se kur Jürgen Klopp erdhi te Liverpool, padyshim nuk ishte një skuadër më e mirë se ajo që trashëgoj unë te Manchester United”.

Rangnick flet edhe për Sir Alex Ferguson: “Të kesh të njëjtin trajner për 27 vite nuk është aq e zakontë. Pas një periudhe kaq të gjatë suksesesh duhet të gjesh një shteg rikonfirmimi. Kemi nevojë për vazhdimësi. Mendoj se për të ardhmen nuk do të ketë shumë ndryshime në menaxhim”.

Trajneri gjerman thotë se dëshiron t’i ndryshojë gjërat, por është realist: “Qëllimi është të fitojmë ndeshjen e radhës. Do të drejtoj një seancë stërvitore para ndeshjes së të dielës dhe do të prezantohem me lojtarët këtë pasdite. Ka shumë gjëra që mund të ndryshosh në fushën e stërvitjes, por nuk do të jetë e lehtë në mes të sezonit. Ju nuk mund të ndryshoni gjithçka në një ose dy javë”.

Rangnick pohoi se nuk mund ta refuzosh Manchester Unitedin: “Nëse një klub si ky ju kontakton për një rol të tillë, nuk mund ta refuzoni kurrë”.