Në konferencën për mediat, kryeministri Edi Rama ka dhënë detajet e marrëveshjeve që u firmosën sot në takimin me Vuçiç dhe Zaev në kuadër të nismës së “Ballkanit të Hapur”.

Rama përsërit thirrjen e Varhelyit për tre vendet e tjera që t’i bashkohen samitit dhe bëri me dije se në shkurt të vitit të ardhshëm do të takohen në Maqedoninë e Veriut.

Ndër të tjera tha se marrëveshjet e firmosura sot janë marrëveshjet e tregut të përbashkët bazuar me të njëjtat parime dhe nevoja të fermerëve dhe të tregut të përbashkët rajonal, i cili përdoret si alibi kundër Ballkanit të Hapur por Rama thotë se mund të jetësohet vetëm përmes Ballkanit të Hapur.

Rama: Kemi nënshkruar një sërë marrëveshjesh që janë finalizimi i një pune të përbashkët intensive dhe që si jo gjithmonë për vetë natyrën e marrëveshjeve, këto të firmosura sot janë një realitet i prekshëm nesër dhe jo nesër në të ardhmen, por nesër me hyrjen e vitit të ri 2022. Marrëveshja për tregun e lirë të punës, e cila sanksionon mundësinë dhe të drejtën e qytetarëve të të treja vendeve për të pasur akses të menjëhershëm dhe të barabartë për lejet e punës dhe të qëndrimit,.

Marrëveshja për sistemin e integruar elektronik të shërbimeve, e cila i hap rrugën krijimit të një sistemi të përbashkët elektronik për t’i dhënë mundësi qytetarëve duke filluar nga aplikimet për tu regjistruar si të pranishëm në vendin tjetër apo për lejen e punës apo me radhë që ta bëjnë pa lëvizur nga shtëpia apo vendndodhja e tyre.

Marrëveshjet në bllok për t’i hapur rrugën të gjithë atyre që prej vitesh ndërveprojnë mes këtyre vendeve si prodhues, si eksportues, importues produktesh dhe që kanë një histori të vështirë pritjesh, radhash, verifikimesh, riverifikimesh e kështu me radhë duke bërë të mundur që nga janari i vitit të ardhshëm të kalojnë lirisht në kufijtë dhe doganat respektive pa pasur nevojë që të sigurojnë tre herë të njëjtat dokumenta.

E rëndësishme ta nënvizoj, marrëveshja bën të mundur që të çelet importi dhe eksporti i kafshëve të gjalla. Është një lajm i shumëpritur për të gjithë ata që janë në fushën blegtorale dhe të prodhimit të mishit dhe të gjithë këta prodhues janë të super interesuar për tregje të reja. Të gjitha këto janë marrëveshje të cilat janë as më shumë e as më pak, por marrëveshjet e tregut të përbashkët bazuar me të njëjtat parime dhe nevoja të fermerëve dhe të tregut të -përbashkët rajonal, i cili përdoret si alibi kundër Ballkanit të Hapur por mund të jetësohet vetëm përmes Ballkanit të Hapur.

Marrëveshjet e firmosura sot janë prova e prekshme e një fakti të thjeshtë, Ballkani i Hapur është një nismë e cila shtyn përpara çka është diskutuar në procesin e Berlinit, në zinxhirin e këtij procesi dhe asnjëherë nuk është realizuar.Nuk ngurrojmë të ftojmë 3 palët e tjera të na bashkohen për të mirën e qytetarëve dhe secilit prej 6 pjesëmarrësve në përpjekjen për ta çuar përpara ekonominë dhe shoqërinë e Ballkanit Perëndimor.

Sot ishte e qartë, e thënë drejtpërdrejti nga Varhelyi se Komisioni Europian e mbështet plotësisht Ballkanin e Hapur dhe fton 3 vendet e tjera t’i bashkohen. Ne duam të ecim sa më shpejt të jetë e mundur. Në shkurt të vitit të ardhshëm kemi vendosur që të takohemi në Maqedoninë e Veriut.