Ndërrimi i Qeverisë në Gjermani nuk ka rezultuar edhe me ndërrim qëndrimi sa u përket iniciativave për bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor, siç është “Open Balkan”. Nga Berlini zyrtar theksojnë se i përkahin përpjekjet për fuqizimin e bashkëpunimit rajonal duke vendosur theks të veçantë te gjithpërfshirja, derisa e përmendin edhe marrëveshjen për Tregun e Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit.

Në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express nga Qeveria e re e Gjermanisë, që drejtohet tashmë nga kancelari Olaf Scholz, të pyetur nëse e përkrahin iniciativën e “Open Balkan”-it, kanë thënë se Qeveria Federale e Gjermanisë i mbështet përpjekjet për fuqizimin e bashkëpunimit rajonal në mes të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Teksa e thonë këtë, nga Berlini zyrtar theksojnë se është shumë e rëndësishme që një bashkëpunim i tillë të jetë gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjitha vendet e rajonit.

“Qeveria Federale mbështet përpjekjet për fuqizimin e bashkëpunimit rajonal në mes të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.Është shumë e rëndësishme që ky bashkëpunim të jetë gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë një zëdhënës i Qeverisë së Gjermanisë për Gazetën Express.

Në fund të përgjigjes, ky zëdhënës i Qeverisë Gjermanë thekson se përkrahja e fuqizimit të bashkëpunimit rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor është arsyeja pse në mënyrë të veçantë e përkrahin Tregun e Përbashkët Rajonal, që është një iniciativë në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Prandaj, ne e mbështesim veçanërisht Planin e Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, të miratuar në Samitin e Procesit të Berlinit në Sofje në nëntor të vitit 2020”, ka përfunduar ky zëdhënës.

Qëndrim të njejtë për iniciativën e “Open Balkan” Qeveria Gjermane kishte pasur edhe gjatë kohës kur drejtohej nga kancelarja Angela Merkel.

Ditë më parë e përditshmja gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ka publikuar një letër në të cilën nismëtarët e iniciativës “Open Balkan”, Aleksander Vuçi, Edi Rama dhe Zoran Zaev, kanë kërkuar mbështetjen e Gjermanisë dhe të Bashkimit Evropian.

“Ne shpresojmë që qeveria e re Gjermane do të pranojë iniciativën e “Open Balkan” si një kontribut për implementimin e plotë të Procesit të Berlinit”, thuhet në letrën që mban firmën e tre liderëve.

Të martën e 21 dhjetorit në Tiranë është mbajtur takimi i treshes Rama-Vuçiq-Zaev në kuadër të nismës për “Open Balkan”. Rama në fjalën e tij ka bërë thirrje që në një iniciativë të tillë të bashkohen edhe Kosova, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi.

Në këtë takim ka marrë pjesë edhe Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhiley, i cili e ka dhënë përkrahjen e tij për iniciativën e “Open Balkan”.

Varhiley ka theksuar se do të ishte ideale që shtetet e Ballkanit Perëndimor ta gjenin rrugën drejt kthimit te Tregu i Përbashkët Rajonal, që është në kuadër të Procesit të Berlinit.

Kosova, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi vazhdojnë të mos përfshihen në këtë iniciativë, pavarësisht ftesave të shumta nga nismëtarët e “Open Balkan”. /GazetaExpress