726 aplikantët që kaluan fazën e parë të konkurrimit, proces transparent dhe i monitoruar, u bënë pjesë e fazës së dytë të konkurrimit, testimit fizik, për Patrullë të Përgjithshme.

Prej 3 ditësh vijon testimi fizik, i cili zhvillohet në ambientet e Repartit Special “RENEA”, në Yzberisht.

Procesi monitorohet nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, Drejtoria e Burimeve Njerëzore dhe SHÇBA në Ministrinë e Brendshme.

Këtë vit konstatohet një rritje e interesimit të aplikantëve me nivel më të lartë të shkollimit dhe të pergatitjes fizike, një gjeneratë më profesionale e me performancë më të lartë në sytë e qytetarëve.

Policia e Shtetit do të vijojë të rrisë kapacitetet profesionale, duke bërë pjesë të saj të reja e të rinj të shkolluar dhe të aftë fizikisht, me qëllim arritjen e standardeve të policive euroatlantike.

Policia e Shtetit inkurajon të rejat e të rinjtë që të aplikojnë sa herë që Policia hap testime, pasi kontributi i tyre është i domosdoshëm në rritjen e performancës së Policisë së Shtetit dhe të cilësisë së shërbimit për qytetarët.