Trajneri i Paris Saint-Germain, Mauricio Pochettino, beson se skuadra e tij ka cilësi të mjaftueshme për ta mposhtur Real Madridin në rrethin e 16 më të mirëve në Ligën e Kampionëve.

PSG-së i ra shorti të luajë me Real Madridin, pasi u hodh për herë të dytë brenda ditës si pasojë e një gabimi teknik të hënën, dhe Pochettino është i bindur se skuadra e tij do të kalojë në çerekfinale, raporton Gazeta Express.

“Do të jetë takim i vështirë sepse ata janë ekip me super trajner dhe super lojtarë”, tha Pochettino të martën.

Ai shtoi: “Natyrisht, ne duhet të kemi vetëbesim. Ne kemi ekip madhështor dhe futbollistë madhështorë, të cilët kanë shumë talent. Nuk dyshoj se do t’i qasemi kësaj ndeshjeje në mënyrën më të mirë dhe me shumë vetëbesim”.

“Ne kemi cilësi të mjaftueshme për të fituar dhe do të kalojmë në rrethin tjetër. Ky është synimi i Paris Saint-Germain”, këmbënguli argjentinasi.

Ndeshja e parë e 1/8 së finales mes tyre do të luhet më 15 shkurt në Paris, ndërsa ajo e kthimit më 9 mars në Madrid.

Rregulli i golit si mysafir nuk vlen më, prandaj ekipi që shënon më së shumti gola në të dy ndeshjet, kalon në çerekfinale.