Pfizer thotë se medikamenti i tij eksperimental ndaj Covid-19 ul rrezikun për shtrim në spital apo vdekje me 89 për qind.

Këto të dhëna të përditësuara vijnë nga një studim ku pilulat, të quajtura Paxlovid, u janë dhënë rreth 700 personave të pavaksinuar brenda 3 ditëve nga simptomat e para. 5 prej tyre u shtruan në spital dhe asnjë person nuk humbi jetën.

Pfizer thotë se medikamenti duhet të jetë efikas edhe ndaj varianteve pasi funksionon duke bllokuar enzimat e përfshira në riprodhimin viral. Ai proces mbetet i njëjtë edhe me mutacionin e proteinës spike. Kompania i ka kërkuar rregullatorit amerikan që ta aprovojë pilulën për përdorim emergjent.

Teksa ky produkt i Pfizer sjell shpresë, një tjetër duket se ka humbur efikasitetin. Bëhet fjalë për vaksinën anti-covid që është dobësuar përballë variantit Omicron. Të dhënat që vijnë nga Afrika e Jugut, tregojnë për një shtim të shtrimeve në spitale nga persona të imunizuar me dy doza të Pfizer.

“Në këtë periudhë të Omicron, vlerësojmë që efektshmëria e vaksinës të jetë në 70 për qind. Më përpara niveli i mbrojtjes, në shtator dhe tetor, ishte 93 për qind.

Me pak fjalë, klientët tanë të vaksinuar me Pfizer kishin 93 për qind shanse të evitonin shtrimin në spital nga Covid-19, kur qarkullonte Delta. Ndërsa tani me Omicron, ajo mbrojtje ra në 70 për qind”, u shpreh Shirley Collie, Discovery Health.

Studimi i publikuar nga një kompani private shëndetësore në Afrikë të jugut, u bazua në rezultatet e 211 mijë personave të infektuar me koronavirus nga mesi i nëntorit deri më 7 dhjetor. Rreth 78 mijë prej tyre ishin prekur nga Omicron.