Ish kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i PD Lulzim Basha, gjate homazheve ne Pallatin e Kongreseve, per nder te Heroit te Demokracise, Azem Hajdari, me rastin e 15 vjetorit te vdekjes dhe rivarrimit te eshtrave ne varrezat Deshmoret e Kombit.

Nga Namir LapardhajaParadoksalisht të gjithë sot flasin shumë për opozitën dhe pak për pushtetin. Trau në hallet e PD-së, qimja në bëmat e PS-së.

Debati publik është orientuar në fatin politik të një njeriu, duke krijuar idenë e gënjeshtërt se në këtë vend gjithçka shkon fjollë, asgjë tjetër nuk ndodh dhe gjithë të tjerët janë pa halle, të lumtur.

Është e ditur se demagogët dhe populistët përdorin të gjithë mekanizmat për të manipuluar mendjet e njerëzve të zakonshëm. Shpesh atyre u vjen në ndihmë një enturazh i gjithë mediatik, i cili më shumë se për të vërtetën, është i dhënë pas interesit, më shumë se profesionalizmi është i dashuruar pas përfitimeve dhe më shumë se për parimet është i interesuar për “perimet”.

Në vend që pushteti të ishte në shënjestër, është krijuar një meta-realitet, që ka nxjerr në krye të problemeve opozitën.

Edhe pse me sherre të mëdha brenda vetes, mazhoranca e mbingopur nga pushteti, ku ka vend për të gjithë, po shijon e pashqetësuar shfaqjen e shëmtuar në radhët e opozitës, në të cilën nuk ka asgjë për të ndarë.

Në këto kushte, demokratët e thjeshtë duhet të tregohen të mençur dhe të urtë. Sa më shpejt ta kuptojnë lojën që po luhet në kurrizin e tyre, aq më mirë do të jetë për opozitën dhe për vendin.

Sa më e shpejtë dita e kthimit tek arsyeja, aq më e afërt dita e afrimit tek fitoreja.
Nuk po shkruaj për ata që kanë përfituar gjithçka nga pushteti i PD-së dhe në këmbim nuk i kanë dhënë asgjë, as për ata që i ka verbuar urrejtja apo për ata që fundin politik të një njeriu e kanë lexuar (ndofta me të drejtë) si fundin e së ardhmes së tyre politike, për shkak të historikut dhe karrierës së deritashme vetëm nëpërmjet hosanasë dhe bindjes së verbër. Nuk e kam me këta, sepse ata janë të qartë në rrugën dhe synimin e tyre, sipas parimit “pas meje qameti”, ndaj udha e mbarë!

E kam me demokratët e thjeshtë, ata të ndershmit, që besojnë dhe kontribuojnë pastërtisht, që edhe mund të jenë manipuluar gjatë kësaj periudhe, ose që qëndrimi i gjatë në opozitë i ka lodhur dhe nuk shohin kurrfarë perspektive.

Duhet të reagojnë sa më shpejtë dhe të refuzojnë të trajtohen nga të tjerët si mish për top, nga njerëz që nuk e kanë merituar dhe nuk e kanë justifikuar mbështetjen e tyre.
Pushteti është në tis të greminës, por opozita duhet të shndërrohet në alternativë morale.
Shoqëria shqiptare nuk beson tek qeveria, mirëpo ajo duhet ta shohë opozitën si liman ku të ankorojë shpresat e saj.

Besimin e krijojnë njerëzit, ndaj personalitetet e opozitës duhet të jenë të besueshëm, të pastër dhe pa dritë-hije nga e kaluara.

Situata është aq keq saqë edhe drejtësia që vet pushteti është kujdesur për ta kontrolluar, nuk arrin ta mbrojë më këtë qeveri, pasi ajo nuk ka vetëm një tra të kalbur, por është e gjitha e ngrënë nga mola.

Një funksionim normal dhe i shpejtë i sistemit të drejtësisë, do ta shndërrojë të gjithë kauzën e opozitës të besueshme dhe një alternativë të pranueshme në sytë e qytetarëve.
Që opozita të fitojë, ajo duhet të kalojë një shumësi pengesash të mëdha. Në fillim brenda vetes dhe, më pas, jashtë saj.

Sepse, nëse pushteti bën gabime dhe sërish fiton, opozita mund të humbasë edhe nëse bën gjithçka mirë.

Prandaj duhet maksimalizuar çdo forcë, çdo përpjekje, çdo vlerë dhe kontribut, të gjithë janë të nevojshëm, por kjo kërkon forcë për t’u ngritur mbi veten, që arsyeja të mbizotërojë mbi emocionin, që egoja t’ia lërë vendin urtësisë.

Opozita duhet të bëjë një paqe të madhe me veten. Kjo, në radhë të parë, i takon lidershipit të Partisë Demokratike, që të bëjnë përpjekjet e duhura nga ana e tyre për rikthim në shinat e normalitetit të qëndrueshëm të opozitës dhe, më pas, çdo zëri opozitar që e sheh opozitën dhe PD-në si mjet për të bërë punë të mira për vendin dhe jo si qëllim për përfitime.

Kjo është një marrëdhënie e dyanshme që kërkon besim, forcë dhe kurajo, por është e vetmja rrugë dhe mundësi që të tejkalohet e gjithë kjo sherrnajë e panevojshme dhe opozita të rikthehet fort në misionin e saj.