Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev gjatë në takimin për “Open Ballkan” tha se në fokus është bujqësia dhe bashkëpunimi në këtë fushë për t’i dhënë më shumë shtysë punësimit dhe eksperiencave mes vendeve.

Ndër të tjera ai ka theksuar se ato do të përpiqen që të kenë një barazi standartesh dhe shkëmbim eksperiencash në këtë sektor që ka dhe një rol të rëndësishëm në punësimin e qytetarëve.

“Bujqësia përbën 12% të PPB totale të rajoni tonë. Një shifër e lartë me mesataren e rajoni tonë, këto shifra tregojnë qartë se për shumicën e vendeve në rajon bujqësia është një ndër shtysat më të mira në vende tonë. Është sektori që gjeneron dyfish vende punë, dhe bashkëpunimi rajonal në këtë fushë ndër sektorale do të bëjë që kjo industri të shndërrohet në një motor të fortë i vendeve tona. Ne duhet që të jemi të motivuar për këtë bashkëpunim që krijon dhe hap vende të reja pune.

Shifrat i kam përmendur dhe janë të forta në vetvete, në mënyrë që të jetë i mundur dhe shkëmbimi tregtar është i rëndësishëm që ne të bashkëpunojmë me njëri tjetrin. Lehtësimi i kalimit doganor është një tjetër efekt për zhvillimin ekonomik. Ne do të përpiqemi që të kemi barazi standardesh, ne besojmë që do të forcojmë bashkëpunimin mes tre vendeve dhe të shtojmë eksperiencën e vendeve te njëri-tjetrit. Bujqësia është një fushë që duhet t’i kushtojmë një vëmendje të veçantë dhe në nismën e Ballkanit të Hapur ne duhet që të kemi një bashkëpunim të thelluar, dhe kam bindjen se nga ky forum do të dalim me nisma të tjera”, tha Zaev.

Marrëveshjet në kuadër të “Ballkanit të Hapur” janë nënshkruar këtë të martë në Tiranë mes tre vendeve, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Nga pala shqiptare ishin ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca dhe ajo e Ekonomisë, Delinda Ibrahimaj që nënshkruan marrëveshjet mes tre vendeve.

Pesë marrëveshjet janë:

1-Një treg i përbashkët dhe i lirë pune mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

2-Ngritja e një skeme të përbashkët ndërlidhje elektronike identifikimi për qytetarët në Ballkanin Perëndimor.

3-Marrëveshje ndërqeveritare mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për bashkëpunimin në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore atë të fitosanitarisë në Ballkanin Perëndimor.

4-Marrëveshje Shqipëri-Serbi për njohje e ndërsjellë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS).

5-Marrëveshje Shqipëri-Maqedoni e Veriut për njohje e ndërsjellë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS).

Këtë të martë po mbahet Samiti i “Ballkanit të Hapur” në Tiranë, takim mes kryeministrit Edi Rama me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Ata kanë mbërritur mbrëmjen e kaluar në Shqipëri, ndërsa Rama i priti me darkë mirësardhje në Elbasan duke shmangur kështu udhëtimin për në Tiranë, ku po mbahej protesta e thirrur nga Sali Berisha kundër ardhjes së Vuçiç.

Kujtojmë se një ditë më parë, Berisha mblodhi mbështetës të tij nga Shqipëria dhe Kosova duke kundërshtuar “Ballkanin e Hapur”, pasi sipas tij, pas Vuçiç qëndron influenca ruse e presidentit Vladimir Putin dhe se Rusia është rrezik për stabilitetin në Evropë.

Gjatë ditës së djeshme u dogjën edhe flamuj serbë, si shenjë proteste kundër ardhjes së Vuçiç në Tiranë, ndërsa u arrestuan dy persona dhe u vunë nën hetim gjashtë të mitur.Pas situatës së tensionuar presidenti serb u prit në kryeqytet nën masa të rrepta sigurie, për të parandaluar trazira.

Kujtojmë se takimi i fundit në kuadër të nismës “ Open Balkan” u mbajt më 4 nëntor në Beograd, ku liderët konfirmuan edhe njëherë premtimin se nuk do të ketë më asnjë pengesë në kufi për njerëzit e tyre dhe se ata do të mund të lëvizin lirisht në të tre vendet.

Nisma për bashkëpunim rajonal është përkrahur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE. Megjithatë kësaj nisme nuk po i bashkohet Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja Hercegovina. Qeveria e Kosovës, nën udhëheqjen e Albin Kurtit, mendon se iniciativa e kësaj nisme, sipas tij “mini-Shengen” është nismë pa vizion për rajonin.