Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se numri i rasteve të publikuara me Covid-19 në të gjithë botën u rrit me 11% javën e kaluar, duke shënuar një rritje të madhe në Amerikën Veriore dhe atë Jugore.

OBSH publikoi të martën raportin javor duke raportuar 4.99 milionë raste në të gjithë botën.

Evropa përbën më shumë se gjysmën e numrit të përgjithshëm të infeksioneve, duke shënuar 2.84 milionë, megjithëse kjo është një rritje prej vetëm 3% krahasuar me javën e kaluar.

Për më tepër që Evropa ka shkallën më të lartë të infeksioneve, 304.6 raste të reja për 100 mijë banorë.

OBSH theksoi se rastet e reja në Amerikën Veriore dhe Jugore ishin rritur me 39 për qind, duke kapur shifrën prej 1.48 milionë. Vetëm në SHBA janë regjistruar më shumë se 1.18 milionë raste, një rritje prej 34% krahasuar me javën e kaluar.

Rastet e reja të raportuara në Afrikë u rritën me 7%, duke kapur shifrën prej 275 mijë të infektuar.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se “rreziku i lidhur me variantin e ri Omicron mbetet shumë i lartë”. OBSH citon “prova bindëse” se Omicron ka një avantazh në rritje ndaj opsionit Delta, i cili mbetet dominues në disa pjesë të botës.

Raporti i fundit i OBSH-së vuri në dukje se ka një rënie të sëmundshmërisë në Afrikën e Jugut dhe raportet tregojnë se jo vetëm aty, por edhe në Britaninë e Madhe e Danimarkë rreziku i shtrimeve në spital për shkak të variantit të ri Omicron është ulur. Megjithatë, raporti thekson se nevojiten më shumë të dhëna për të kuptuar shkallën dhe rrezikshmërinë e infektimit nga ky variant i ri i koronavirusit.

OBSH tregoi se numri i viktimave të raportuara në të gjithë botën ra me 4 për qind javën e kaluar, duke kapur shifrat prej 44.680. Kurse numri i infeksioneve me koronavirus në të gjithë botën është rritur me një rekord prej 1.222.498 në 24 orët e fundit, sipas të dhënave të mbledhura nga autoritetet shëndetësore në të gjithë botën.

Në Evropë, Spanja, Franca, Britania e Madhe, Greqia dhe Italia shënuan një numër të lartë rekord infektimesh në 24 orë. Kurse në SHBA, pati një rritje në 24 orët e fundit, me më shumë se 500 mijë raste të reja.