Nga Pajtim Bello/ Është momenti që disa koka të nxehta të ndalen një minutë, të qetësohen e të mbushen thellë më frymë, të dëgjojnë çfarë tha zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit dhe i dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për sjelljen politike të Sali Berishës dhe një takëmi politikanësh rreth tij. Zoti Eskobar foli troç, më shumë se shqip.

Pyetjes mbi qendrimin e SHBA nëse Sali Berisha zgjidhet në krye të PD iu përgjigj me një gjuhë në korniza dipllomatike por shumë të drejtë për drejtë: “….do të nxisja njerëzit të mendojnë me shumë kujdes se cilët udhëheqës zgjedhin, se në cilën rrugë duan të jetë Shqipëria. Dhe shpresojmë se përgjigja do të jetë një rrugë me fokusin europian, përkushtuar ndaj NATO-s, dhe përkushtuar ndaj luftës kundër korrupsionit.”. Natyrisht këto fjali u thanë për ata që janë të lidhur pas qerres së Sali Berishës.

O njerëz, shkelni mbi dashurinë pa kufi ndaj Saliut dhe tregoni dashuri për Shqipërinë! Është prova të tregoni dëshirën tuaj: për nga do të shkojë Shqipëria. Them është radha Tuaj sepse radha e Saliut ka kaluar, është kapërcyer me kohë e me vakt, ai ka folur e ka vepruar që Shaqipëria të rrugëtojë kundër drejtimit euro atllantik.

Pikërsiht për këtë, dhe jo vetëm, SHBA e ka shpallur non grata Saliun. Vallë juve nuk e kuptoni?! Sot problemi për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarinë nuk është shkarkimi i Lulzim Bashës nga kreu i PD, as largimi i Edi Ramës nga posti si kryeministër dhe as prurja e provave prej SHBA për shpalljen non grata të ish liderit tuaj.

Është largimi i Sali Berishës njëherë e përgjithmonë nga lidershipi politik, si një rrezik i madh për demokracinë dhe sigurinë në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor. Nëse juve do të riktheni Saliun në krye të lidershipit të PD, prej ku do të hartoje dhe elaborojë politika, do të bëni shërbimin më të keq të mundshëm për Shqipërinë. Prandaj qëndroni e dëgjoni me qetësi çfarë na këshilloi miku ynë i përbashkët, z. Eskobar.

Nesër do të jetë vonë. Ju do të thoni se ishte faji i Lulzim Bashës që “nuk na solli” në pushtet, ishte faji i Edi Ramës se na “vodhi” zgjedhjet apo ishte faji i SHBA që nuk na solli provat që i kërkuam!. Askush nuk do t’iu besojë, nuk jin të gënjyer. SHBA, dhe ne të gjithë, kemi harxhuar shumë kohë e mund që juve të kuptoni çfarë atë që duhet bërë.

Askush nuk iu pret rrugën të shkoni për atje ku jini nisur, por dijeni se nuk jini krushq dhe atje ku po shkoni nuk ka dasmë. Do të jini pjesmarrës të një pogromi kundër të ardhmes perëndimore të Shqipërisë që do të mbahet mënd; do të zerë vend në historinë e Shqipërisë modern si një njollë turpi. Atje do të jenë të shkruar edhe emrat tuaj por juve nuk do të mund të fajësoni të tjerët. Këto lloj justifikimesh nuk pinë ujë. Kini kohë të distancoheni, qetësisht duke mos marrë pjesë por edhe publikisht duke e denoncuar këtë herezi politike.

Bëni si të doni. Shqipërisë i ka ndodhur kështu edhe herë të tjera. Pashallarë e bejlerë të mëdhenj të akaparuar nga fqinjët grabitqarë bridhnin sallave të Kancelarive Evropiane dhe mbështesnin coptimin e Mëmëdheut kur shqiptarët luftonin për ta shpëtuar Shqipërinë nga coptimi. Kështu u sollën edhe disa baballarë të kombit në luftën e dytë botërore, kur prej tyre rrezikuam ta humbnim krejt Shqipërinë.

E vërteta është se na kanë dëmtuar shumë. Historia po përsëritet dhe ne sot jemi protagonist të sajë, seicili në krahun që kemi zgjedhur; kur historia na thërret të jemi në një krah. Këto nuk janë çështje të vogla. Nuk justifikohen emocionet, krahinalizmat, folklorizmat, përgjërimet partiake etj. Duhet qartësi, largpamësi dhe atdhedashuri. Sot epoka është para gjyqit! O njerëz, dëgjojini e besojuni Aleatëve Euro Atllantikë. Deri në minutën e fundit mund të reflektoni, asnjëherë nuk është vonë.