Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti Ambasadorin e Katarit, Ali Bin Hamad Al-Marri.

Kryetarja Nikolla vlerësoi vullnetin politik për forcimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit, të cilat prej vendosjes në 1992 janë zhvilluar në mënyrë shumë miqësore e të qëndrueshme, shprehu mirënjohjen për ndihmën që Shteti i Katarit i dha Shqipërisë pas tërmetit të nëntorit 2019 si edhe në luftën kundër pandemisë.

Marrëdhëniet me Katarin po zgjerohen dhe intensifikohen. Vizita e Kryeministrit Edi Rama në Katar, gjatë së cilës, u nënshkruan tre marrëveshje, marrëveshja e transportit detar, sigurisë dhe sportit, shënoi një stad të ri në bashkëpunimin dypalësh në fushën e ekonomisë, nxitjes dhe mbrojtjes së investimeve, turizmit, energjisë, transportit ajror dhe detar etj.

Kryetarja Nikolla dhe Ambasadori Al-Marri biseduan edhe mbi rifillimin e bashkëpunimit parlamentar dhe shkëmbimin e vizitave të nivelit të lartë si edhe midis komisioneve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit të Shtetit të Katarit.