“The Guardian”

Batareja e fundit e kërcënimeve nga Vladimir Putin, nuk ka të bëjë më vetëm me Ukrainën. Presidenti rus e ka zgjeruar në mënyrë të vazhdueshme fushëveprimin e kërkesave të tij, duke përfshirë marrëveshjet e mbrojtjes dhe sigurisë në Evropë në tërësi. Edhe nëse tensionet aktuale në kufijtë e Ukrainës, nuk do të sjellin në fund një konflikt të hapur, ky përshkallëzim i qëllimshëm parashikon gjëra aspak të mira për vitin 2022. Në fakt ajo që dëshiron Putin, është kthimi pas në kohë në vitet 1990, përpara se vendet e ish-Traktatit të Varshavës si Polonia dhe ish-republikat sovjetike si Estonia t’i bashkoheshin NATO-s. Nëse do të kishte mundësi, ndoshta ai mund të donte ta rindërtonte Bashkimin Sovjetik, për vdekjen e të cilit mban zi edhe sot e kësaj dite. Ky spiun i vjetër dhe i hidhëruar i KGB-së nuk e pranoi kurrë humbjen në Luftën e Ftohtë. Aleanca perëndimore, duhet t’ia bëjë të qartë se një revizionizëm i tillë i rrezikshëm është i papranueshëm. Rusia nuk mund të ketë veto mbi anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës (apo Gjeorgjisë) në NATO. Dhe Putin nuk mund të ringjallë sferat e influencës sovjetike, apo të diktojë se ku do të vendosen forcat perëndimore. Bisedimet e reja për të zbutur shqetësimet e Rusisë, do të ishin një mënyrë më e arsyeshme për të ecur përpara.

Por duke vendosur rreth 100.000 trupa në kufijtë e Ukrainës, dhe duke vazhduar me sulmet e ashpra verbale, Putin e ka bërë të qartë se nuk do ta lehtësojë së shpejti presionin ndaj udhëheqësve të Evropës. Për Uashingtonin, kjo është një enigmë gjeopolitike. Për evropianët një Rusi armiqësore dhe e zemëruar,përbën një rrezik emergjent dhe kërcënues në pragun e saj. Duke e ndjerë dobësinë e SHBA-së, vendet e Evropës Lindore janë veçmas më të alarmuara nga deklarata e presidentit Joe Biden se SHBA është e gatshme t’i trajtojë “shqetësimet e Rusisë në lidhje me NATO-n”, por edhe nga kërkesa agresive e Putinit javën e kaluar për lëshime “të menjëhershme”.

Një shqetësim akoma më i madh për vitin 2022, është se pas tërheqjes kaotike të SHBA-së nga Afganistanit, nuk mund të besohen më garancitë e sigurisë që ajo jep. Pavarësisht garancive në samitin e G7-ës të verës së shkuar në Britani se “Amerika është rikthyer në skenën globale”, Biden është fokusuar kryesisht në axhendën e tij të brendshme dhe në frenimin e Kinës. Por asnjëra nga këto politika nuk po ecën mirë. Rastet e reja me Covid po shtohen sërish, ndërsa programet e mëdha sociale dhe ato në rindërtimin e infrastrukturës, që synojnë të nxisin rimëkëmbjen e ekonomisë amerikane pas pandemisë, janë reduktuar ose bllokuar nga demokratët rebelë në Kongres.

Për me tepër Biden do të jetë i zënë me një fushatë të vështirë për zgjedhjet e mesit të mandatit që mbahen në nëntor të vitit që vjen. Prandaj për Evropën dhe BE-në në veçanti, viti i ri duket se do të fillojë me shqetësime, pasiguri dhe me një ndjenjë vetmie. Ajo ndodhet e bllokuar si në një kurth midis një Moske dashakeqe dhe një Amerikë të pasigurt mbi atë që do të bëjë në botë. Dhe si për t’i përkeqësuar më tej gjërat, marrëdhënia më e rëndësishme e Evropës së pasluftës – ajo midis Francës dhe Gjermanisë – mund të jetë gati të përfshihet nga tensionet e forta.

Kancelari i ri i Gjermanisë, Olaf Scholz, nuk humbi aspak kohë për të nisur dialogun me presidentin francez, Emmanuel Macron. Ai shkoi në Paris vetëm 2 ditë pas marrjes së detyrës. Në letër, koalicioni trepartiak i qendrës së majtë, i udhëhequr nga Scholz, mbështet integrimin më të thellë në BE dhe sovranitetin e zgjeruar evropian, ide të promovuara nga Macron por të kundërshtuara nga Angela Merkel, paraardhësja e Scholz. Por në praktikë, mund të jetë e vështirë të arrihet një kompromisi i ri franko-gjerman. Kjo pasi ekzistojnë dallime të mprehta mbi politikën energjetike të BE-së, “tranzicionin e gjelbër” dhe përpjekjet e Francës për ta klasifikuar energjinë bërthamore si një lëndë djegëse “të qëndrueshme” në kohën e rritjes së shpejtë të çmimeve të gazit.

Macron dëshiron që Gjermania të mbështesë më shumë shpenzime pan-evropiane, të financuara nga borxhi i përbashkët bazuar në modelin e fundit të fondit të BE-së për rimëkëmbje nga Covid-19 prej 800 miliardë eurosh. Por kjo qasje është e papëlqyeshme në Berlin.

Macron argumenton me pasion se në një botë grabitqarësh dhe miqsh jo të besueshëm, Evropa duhet të përpiqet të garantojë për veten një autonomi më të madhe në mbrojtje, sigurinë dhe politikën e jashtme. Por nga ana tjetër,ai ka kundërshtuar thirrjet e Annalena Baerbock, bashkë-drejtuese e të Gjelbërve gjermanë, Ministrja e re e Jashtme e Scholz, dhe një avokate e fortë e të drejtave të njeriut, për një sjellje më të ashpër ndaj Rusisë dhe Kinës.

Do të jetë e vështirë gjetja e gjuhës së përbashkët mbi këtë çështje. Aftësia e Evropës për t’u përballur me një sërë problemesh të tjera të ngutshme – mosmarrëveshja midis Brukselit, Polonisë dhe Hungarisë mbi çështjet kushtetuese, tensionet separatiste në Ballkan, fërkimet me Turqinë, terrorizmi islamik në Sahel, ambiciet bërthamore të Iranit dhe çështjet e pazgjidhura të Brexit – nuk do të ndihmohen aspak nga marrja e presidencës 6-mujore të BE-së nga Franca më 1 janar 2022.

Ndonëse e mohon, Macron do të shpërqendrohet me siguri nga përpjekja për t’u zgjedhur për një mandat të dytë në zgjedhjet presidenciale të prillit. Ajo betejë epike bashkon tre çështje qendrore,të cilat do të dominojnë edhe axhendën e Evropës në vitin 2022:populizmi i djathtë, migrimi dhe pandemia. Disa sondazhe tregojnë se pas zgjedhjeve të fundit në Gjermani, rryma populiste ka ardhur duke u tërhequr. Por në Francë, mbështetja e fortë për racistët ksenofobikë, Marine Le Pen dhe Éric Zemmour, sugjeron se përfundime të tilla janë të parakohshme.

Pasi ndoqën Biden në braktisjen e Afganistanit, anëtarët evropianë të NATO-s vështirë se mund të ankohen kur të përballen këtë dimër me një valë të re të madhe refugjatësh afganë. Kjo krizë e re do të nënvizonte sërish dështimin kolektiv të BE-së për të rënë dakord për një politikë gjithëpërfshirëse dhe humane të migracionit, dhe do të shfrytëzohet me siguri nga e djathta ekstreme franceze. Një tjetër dështim, mungesa e jashtëzakonshme e një përgjigjeje të koordinuar evropiane ndaj variantit të ri të koronavirusit, Omicron, teksa vendet po rivendosin kufizime të ndryshme, kontradiktore dhe shpesh shumë jo popullore, mund të orientojë mënyrën se si do të votojnë pas disa muajsh francezët. Ashtu si me Boris Johnson, do të jetë Covid-19, dhe jo makinacionet e Rusisë, Kinës dhe SHBA-së, ai që mund të fundosë Macron dhe Evropën.