Më 18 dhjetor, ditën që zyrtarisht Partia Demokratike ka thirrur Kuvendin në Pallatin e Kongreseve, ish-kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij organizojnë referendumin për shkarkimin e kryedemokratit Lulzim Basha. Votimi për shkarkimin e Bashës do të nisë nesër nga ora 08.00 e mëngjesit dhe pritet që të përfundojë në orën 17.00.

Ndërkohë, Komisioni i Rithemelimit ka vendosur ngritjen e Komisionit të Organizmit dhe Kontrollit të Operacionevve Elektorale me qëllim organizimin dhe drejtimin e procesit të referendumit. Kryetare e këtij Komisioni është caktuar Albana Vokshi dhe anëtarë janë Ervin Minarolli, Enno Bozdo, Edith Harxhi dhe Keltis Kruja.

Ky Komision, siç njoftohet, ka përgjegjësi të organizojë, mbikqyrë dhe të drejtojë procesin e referendumit deri në nxjerrjen dhe në shpalljen e rezultatit përfundimtar.

I mandatuar si një nga anëtarët e Komisionit të Përkohshëm për drejtimin e PD, Aldo Bumçi është shprehur për ABC se pritet që referendumi në pjesën më të madhe të zhvillohet në ambiente private.

“Aty ku nuk ka pasur vullnet për të përdorur zyrën ne kemi marrë ambiente të tjera”, shprehet ai.

Dega Krujë, me 700 anëtarë, do të votojë në dy qendra votimi, një në Thumanë dhe një në Krujë, në Fushë-Krujë votimi pritet të zhvillohet te qendra shëndetësore, ku është dhe zyra e partisë. Në Kruje e Thumanë votohet në lokale, ambiente të marra me qira dhe materialet kanë shkuar në të dyja degët e PD.

Kurse në bashkinë e Korçës ka një qendër votimi, që do të jetë te ish-kinema Millemium. Po ashtu edhe në Pogradec do të votohet te kinemaja e qytetit.

Në Gjirokastër janë gjithsej 1100 anëtarë të PD me të drejtë vote, ndërsa janë ngritur 4 qendra votimi. Një qendër votimi do të jetë në Pallatin e Sportit, në Lazarat do të jetë në një lokal në qendër të fshatit, në Libohovë në një lokal në qendër të qytetit dhe në Urën e Kardhiqit do të votohet te ish-zyra elektorale e PD.

Në fletën e votimit për këtë Referendum që, sipas Berishës do të rikthejë shpresën dhe lirinë, ngrihet një pyetje: “A jeni dakord me vendimin e Kuvendit Kombëtar për shkarkimin e kryetarit të PDSH Lulzim Basha?

Po, (dakord me shkarkimin)

Jo (kundër shkarkimit)

Po në 18 dhjetor, në orën 11.00 nis edhe Kuvendi Kombëtar i mbledhur nga PD.