Ditën e nesërme do të mbahet Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Lulzim Basha, ndërsa Marash Logu, këshilltar i grupit parlamentar të PD-së shpjegoi në Report Tv sesi do të verifikohet kuorumi i nevojshëm për nisjen e punimeve. Në ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, Logu tha se kryetarët e degëve të PD-së ose sekretarët do të jenë përgjegjës për verifikimin e delegatëve që më pas do t’i kalojnë komisionit. Për të mbajtur Kuvendin Kombëtar duhet të jenë të pranishëm 3824 delegatë nga 7647 që ka gjithsej partia.

“Së pari delegatët e PD vijnë nga degët që ka rreth 71 degë, dhe secili kryetar caktohet si person përgjegjës për të verifikuar a janë paraqitur delegatët. Komisioni pasi merr informacionin e plotë vendos nëse edhe plotësuar kuorumi i nevojshëm”, tha Logu në Report Tv.

Ndërkohë, ditën e nesërme Sali Berisha do të zhvillojë aksionin e tij për shkarkimin e Bashës, ku pritet votimi i anëtarëve të degëve të PD-së do të votojnë, por sipas Logut ky referendum është nul pasi statuti i PD-së nuk e njeh referendumin si një organizëm vendimmarrjeje. Ai theksoi se asnjë vendim i referendumit nuk do të njihet, pasi referendumi ka ardhur si rrjedhojë e një Kuvendi ilegjitim të mbajtur në ‘Air Albania’.

Në mënyrë që këto, mbledhje të fitojnë legjitimetin duhet ndjekur rruga statusore. Statuti i PD-së e ka të përcaktuar në mënyrë shumë të qartë, mbledhja mund të thirret nga kryetari, këshilli kombëtar dhe në raste të caktuara ¼ e delegatëve mund të kërkojnë Kuvend, por nuk vetëmblidhet. Ishte një mbledhje e demokratëve në të cilën u diskutua dhe meriton respekt, por nuk ka prodhuar asnjëlloj vendimmarrje. Përsa kohë një mbledhje nuk thirret sipas statutit ajo nuk mund të prodhojë asgjë.

Statuti aktual nuk e parashikon referendumin si një nga mekanizmat për vendimmarrje. Mbledhja që ka prodhuar këtë vendim, duke qenë se s’ka ndjekur të gjitha rregullat statusore, dhe për rrjedhojë edhe vendimmarrja e referendumi mund të jetë për konsum bisedash, por nuk do prodhojë asnjë efekt juridike”, u shpreh Logu.

I pyetur se përse u dorëzua në gjykatë me 5 muaj vonesë statuti i ri i PD-së, Logu tha se kjo ka ndodhur për shkak të rrethanave me të cilat është përballur partia, tensionet pas përjashtimit të Sali Berishës nga grupi parlamentar, por edhe masakra zgjedhore.

“Vonesa është e kuptueshme për shkak të rrethanave në të cilat ka qenë PD, dhe jemi brenda afatit ligjor të caktuar dhe brenda 30 ditësh do regjistrojmë ndryshimet statusore. Ka ardhur vetëm për shkak të masakrës zgjedhore dhe vendimmarrjet e 19 shtatorit, ka kaluar në një moment që ka pasur mbingarkesa”, vijoi ai.

Logu u shpreh se Kuvendi ditën e nesërme do të jetë i hapur edhe për mbështetësit e Berishës.

“Nesër, kuvendi është një mundësi emirë për të gjitha palët që të bashkohen dhe të diskutojnë sesi nga kjo krizë PD të dalë më e fortë më hapur. Një pjesë e madhe e atyre që janë zëra publik, janë anëtarë të kuvendit kombëtar dhe kanë të drejtën e tyre që të vijnë dhe të dëgjohen vendimet e tyre dhe madje nëse kanë kuorumin e nevojshëm të propozojnë”, tha Logu.

Vetëm pak orë na ndajnë nga 18 dhjetori, ditën kur do të mbahet Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Lulzim Basha, ndërkohë që 76.056 anëtarët do të votojnë nesër në referendumin e thirrur nga Sali Berisha për shkarkimin e kryedemokratit.