Të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur Konferenca e parë Ndërqeveritare për negociatat me Shqipërinë. Ky është konkluzioni i fundit i Këshillit të Bashkimit Europian që miratuan dokumentin për procesin e zgjerimit për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Në raport thuhet se Këshilli mirëpret vendosmërinë e Shqipërisë për të avancuar në axhendën e reformave.

“Presim mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare sa më shpejt të jetë e mundur pas miratimit të kornizës negociuese nga Këshilli. Këshilli merr shënim se zgjedhjet parlamentare më 21 Prill ishin përgjithësisht të organizuara mirë dhe kujton se zgjedhjet u mbajtën në bazë të reformës së re zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR. Këshilli inkurajon gjithashtu implementimin e mëtejshëm të rekomandimeve të ODIHR. Këshilli nënvizon se dialogu politik, gjithëpërfshirës dhe konstruktiv në vend mbetet vendimtar dhe në këtë kontekt Këshilli mirëpret rikthimin e opozitës në parlament”, thuhet në raport.