Zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari ka marrë pjesë në ministerialin për punët e brendshme dhe drejtësisë të BE-Ballkanit Perëndimor në Brdo, Slloveni.

Me anë të një reagimi, Lamallari u shpreh se, “çështjet kryesore të diskutimit përfshinë: luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit, drogave, krimeve ndërkufitare dhe sigurisë së kufijve”.

Lamallari theksoi se, “lidhur me këto çështje Shqipëria ka qenë vendi i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që ka nënshkruar marrëveshje me BE dhe ka vijuar zbatimin me sukses bashkëpunimin me Frontex, (Agjencia për Ruajtjen e Kufijve të BE), planin e përbashkët për luftën kundër terrorizmit. Gjithashtu është caktuar oficeri ndërlidhës i Europol në Shqipëri si dhe ka vijuar marrëveshja e Punës EMCDDA (Agjencinë kundër Drogave të BE)”.

Padyshim, shtoi Lamallari, “nënshkrimi dhe zbatimi me sukses i marrëveshjeve të tilla janë dëshmi e vullnetit politik të qeverisë shqiptare, Ministrisë së Brendshme dhe rritjes së kapaciteteve dhe mbështetjes në inteligjencë të Policisë së Shtetit”.