Edinson Cavani është një nga sulmuesit që Joan Laporta ka në listën e tij për të përforcuar Barcelonën e drejtuar nga Xavi Hernández. Ai nuk është në “pole”, por mbetet një nga opsionet që klubi katalanas monitoron.

Nga ana e lojtarit nuk do të kishte asnjë problem, pasi siç raporton sot gazeta britanike “The Times”, 34-vjeçari do të largohet nga Premier League dhe të nënshkruajë me Barcelonën verën e ardhshme.

Bomberi uruguajan beson se i kanë mbetur edhe dy vite në nivel të mirë si futbollist, ndaj para se ta përfundojë karrierën dëshiron ta provojë fatin e tij në Ligën Spanjolle, pasi ka kaluar tashmë nëpër Itali, Francë dhe Angli. Do të ishte një përforcim i garantuar golashënues për një ekip që ka humbur shumë potencial në repartin e përparmë në sezonet e fundit me largimin e Suarez apo Messit.

Çështja ekonomike e operacionit nuk do të ishte problem, pasi Cavani e përfundon kontratën e tij me Manchester United më 30 qershor 2022. Pra, skuadra katalanase nuk do të duhej të paguante ndonjë shumë transferimi për nënshkrimin me të.

Sulmuesi rinovoi pas sezonit të parë të mrekullueshëm te Manchester United për një vit më shumë, por e ardhmja e tij duket larg “Old Trafford” në fund të 2021-2022, duke pasur parasysh rëndësinë e tij të vogël këtë sezon dhe planet e Ragnick, ndër të cilat përfshihet Haaland për verën e ardhshme.

Opsionet e transfertave me kosto zero po bëhen një tendencë e zakonshme në botën e futbollit, pas krizës së shkaktuar nga COVID-19, aq më tepër te Barcelona, me probleme serioze financiare. Tashmë kjo ka ndodhur me Dani Alves, i cili ishte pa ekip. Me të njëjtin profil mendohet të merret edhe César Azpilicueta.