Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, përmes një videomesazhi ka uruar për ditën e Krishtlindjes të gjithë shqiptarët, personelin mjekësor dhe punonjësit e qendrave të përkujdesit social.

“Të dashur profesionistë të shëndetit, në shërbim të misionit që keni zgjedhur, sakrifikoni pa reshtur kohën që mund të kalonit me njerëzit e dashur dhe familjen, për të shërbyer pa orare për ata që kanë nevojë për kujdesin tuaj. Në një kohë kur çdokush mblidhet të festojë me njerëzit e dashur, ju jeni edhe sot duke shërbyer me profesionalizëm dhe dhembshuri në shërbimet tona spitalore sikurse do të jeni në gatishmëri gjatë festave të këtij fundviti. Një falënderim e urim nga zemra për të gjithë kujdestarët, edukatorët, punonjësit sociale, psikologët dhe stafit tonë të mbrojtjes sociale, që rrisin me dhembshurinë e prindit fëmijët pa kujdes prindëror, kujdesen për të moshuarit e vetmuar e për njerëzit me aftësi ndryshe, si në një familje”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që sakrifikuan jetën e tyre në mbrojtje të shëndetit të të tjerëve.

“Sot i jam pranë veçanërisht fëmijëve dhe familjeve të heronjve tanë, heronj të cilët sakrifikuan në mbrojtje të shëndetit të të tjerëve. Mirënjohja jonë mbetet e pakufishme dhe amanetin e prindërve tuaj, për t’iu qëndruar pranë fëmijëve dhe familjeve, do ta përmbushim deri në fund”, nënvizoi Manastirliu.

Duke e konsideruar një vit sfidues për profesionistët e shëndetit, Manastirliu thotë se vaksinimi është një akt dashurie në mbrojtjes të jetës.

“Ky vit që po lëmë pas ka qenë veçanërisht sfidues për armatën e mjekëve, infermierëve, vaksinatorët, laboratorët, epidemiologët , urgjentistët, farmacistët e të gjithë punonjësit e shërbimeve mbështetëse që kanë vijuar pa ndalur përballjen me COVID-10 në misionin e tyre jetëshpëtues, por falë sigurisë që vaksina solli mes nesh, ata kanë qenë më të mbrojtur duke siguruar shërbimet ndaj jush”, tha Manastirliu.

Në fund të urimit Manastirliu u shpreh se “dëshiroj për të gjithë që mirësia që përshkon këtë ditë, shpirti i sakrificës, dashuria dhe mbi të gjitha drita e shpresës, të na udhëheqin gjithmonë”.