Pas lajmeve të rreme që kanë qarkulluar ditën e sotme nga disa media, ku thuhej se është shembur hyrja e tunelit ‘Delvinë – Kardhiq’ ka reaguar kompania ndërtuese e këtij aksi. Në reagimin e saj “Gjoka Konstruksion” njofton se nuk ka shembje të këtij tuneli. Gjithçka e shpërndarë nëpërmjet fotove në media është pjesë rutinore e punës dhe punimet e përfunduara në tunel nuk kanë pësuar asnjë cedim.

Njoftimi i plotë:

Shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a në lidhje me lajmin e shëmbjes së tunelit “Delvinë – Kardhiq” i cili po qarkullon në media sot më datë 10 Dhjetor 2021 njofton opinionin publik se nuk ka shëmbje të tunelit Kardhiq –Delvinë. Gjithçka e shpërndarë nëpërmjet fotove në media është pjesë rutinore e punës dhe punimet e përfunduara në tunel nuk kanë pësuar asnjë cedim. Tuneli ka afat kontraktual dorëzimi vitin 2023, por ne sipas avancimeve të punimeve të kryera deri më sot pritet ta dorëzojmë veprën tunelin Kardhiq –Delvinë të përfunduar në Pranvere 2022 të sigurt dhe të hapur për qarkullim.

Tuneli i Skërficës ka gjatësi 1.316 km dhe shërben si nyjë lidhëse strategjike e rrugës Delvinë-Kardhiq. Kjo rrugë shërben për zhvillimin e turizmit në Sarandë dhe jug të Shqipërisë si gjithashtu shkurton distancën me Tiranën për 3 orë.