Malta është bërë shteti i parë i BE-së që legalizon kultivimin dhe përdorimin personal të kanabisit.

Të rriturit do të lejohen të mbajnë deri në 7 gram kanabis dhe të rritin jo më shumë se katër bimë në shtëpi. Por pirja e kanabisit në publik ose në prani të të miturve do të jetë e paligjshme, raporton BBC.

Disa vende të tjera kanë plane të ngjashme, të tilla si Gjermania, Luksemburgu dhe Zvicra. Vende si Holanda e tolerojnë përdorimin e kanabisit në rrethana të caktuara. Parlamenti i Maltës votoi në favor të reformës të martën pasdite, me projektligjin që mori 36 vota pro dhe 27 kundër.

Ministri për Barazinë, Owen Bonnici, tha se masa “historike” do të ndalojë që përdoruesit e kanabisit që të përballen me sistemin e drejtësisë penale dhe do të frenojë trafikun e drogës, duke u siguruar që përdoruesit tani të kenë një rrugë të sigurt dhe të rregullt nga ku mund të marrin kanabis.

Megjithatë, Partia Nacionaliste e opozitës së Maltës votoi kundër ndryshimeve.

Në tetor, udhëheqësi i saj Bernard Grech paralajmëroi se ligji do të çonte vetëm në forcimin e tregut të paligjshëm, me përfitimin e krimit të organizuar. Kundërshtarët i kanë bërë thirrje presidentit të Maltës, George Vella, të mos e dekretojë ligjin e miratuar në Parlament.

Sipas ndryshimeve, kushdo që mban më shumë se shtatë gramë, por më pak se 28 g, mund të gjobitet deri në 100 euro.

Dënimi për pirjen e kanabisit në publik do të jetë një gjobë prej 235 euro, dhe ata që pinë kanabis para çdo personi më të ri se 18 vjeç mund të gjobiten deri në 500 euro.