Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i shoqëruar nga një grup deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, u pritën në një takim të veçantë në Prishtinë nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Pas takimit me Ballën, kryeministri Albin Kurti deklaroi se, gjatë takimit u diskutua rëndësia e bashkëpunimit të marrëveshjeve ndërmjet dy qeverive, në veçanti marrëveshjet e fundit në Elbasan.

“Edhe Kuvendet tona respektive do të mund të japin kontributin e tyre, duke kërkuar llogaridhënie nga qeveritë se çfarë kemi bërë për të zbatuar marrëveshjet, por njëkohësisht edhe për t’u harmonizuar e sinkronizuar sa më shumë në arenën ndërkombëtare për sa i përket politikës së jashtme. Në Kosovë partitë politike nuk kanë dallime, sa i përket çështjes së Kosovës, por natyrisht nuk kanë as dallime për sa i përket çështjes së Shqipërisë, ndaj kjo e përbashkët e jona duhet të bëhet më funksionale dhe më aktive”, deklaroi Kurti.