Në Kosovë do të kërkohet nisja e hetimeve për ndërprerjen e energjisë elektrike me orar më të zgjatur se sa që është planifikuar.

Kështu deklaroi ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli dhe shtoi që është duke u përgatitur një dosje me raportimin e qytetarëve.

Ata pretendojnë që kufizimi i energjisë është disa herë më i madh se sa orari i vendosur nga institucionet.

Përmes një reagimi në Facebook, ministrja tha se plani i reduktimeve i cili parashikon 8 orë me furnizim elektrike dhe 2 orë ndërprerje “duhet të implementohet në mënyrë të barabartë si dhe barra duhet të shpërndahet në mënyrë të barabartë te të gjithë konsumatorët”.

Ndërkohë, një grup qytetarësh kanë deklaruar se do të protestojnë ditën e hënë për situatën e krijuar duke kërkuar largimin e ministres dhe nxjerrjen e përgjegjësve.

“Të hënën me 27 dhjetor duke filluar nga ora 13:00 mblidhemi pranë KEDS-it në protestë ndaj kësaj gjendjeje alarmante dhe kërkojmë: rrymë 24 orë pa ndërprerje në 7 ditë të javës, shkarkim të ministres Rizvanolli dhe nacionalizim të KEDS-it. Protestat nuk do të ndalen deri sa kjo kompani të marrë përgjegjësi për dështimet e saja, ne t’i kthehemi normalitetit”, tha Dibran Hoxha, organizator i protestës.

Reduktimet e energjisë në Kosovë u udhëzuan nga operatori i sistemit të tregut për shkak të mbingarkesës në sistemin elektro-energjetik.