Ministria e Brendshme thirri një takim konsultativ me përfaqësues të institucioneve shqiptare, akademisë, medias dhe shoqërisë civile për diskutimin mbi të ashtuquajturat “krime okulte”, për të diskutuar rreth qasjes që duhet të kemi për të parandaluar ngjarje të tilla të rënda.

Nën drejtimin e zv.ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Policia e Shtetit, Komiteti i Kulteve, Qendra e Koordinimit Kombëtar kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Fakulteti i Drejtësisë, Urdhri i Psikologut dhe mediat, diskutuan mbi këtë çështje me ndjeshmëri të lartë publike.

Ata shprehën pikëpamjet dhe propozimet e tyre mbi nevojën e ndryshimeve organizative dhe ligjore për trajtimin dhe parandalimin e ngjarjeve me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e qytetarëve shqiptarë.

Lexoni edhe:

Largohuni nga prostatiti dhe sikleti në shtrat! Në 7 ditë jeta juaj do të ndryshojë!
Sponsored by MonadPlug
Zv.ministri Lamallari shpjegoi qëllimin e thirrjes së këtij takimi duke falendëruar përfaqësuesit e akademisë, shoqërisë civile dhe medias për interesin dhe angazhimin e tyre dhe nënvizoi nevojën për një trajtim të kujdesshëm duke qenë se kemi të bëjmë me një çështje sensitive.

Përfaqësuesit e organit të akuzës dhe agjencive të zbatimit të ligjit vunë në dukje mangësitë dhe nevojat për përmirësime ligjore me qëllim kriminalizimin dhe ndëshkimin e autorëve të dyshuar si organizatorë apo nxitës të këtyre veprave të rënda si dhe nevojën për njohuri më të thella mbi ritualet ezoterike apo besimet alternative, sidomos atyre organizimeve veprimtaria e të cilave mund të konsiderohet antikushtetuese, e paligjshme dhe e rezikshme në aspektin e sigurisë. Sipas tyre është e domosdoshme të bëhen ndryshime në Kodin Penal. Përfaqësuesit e akademisë në këtë takim, ofruan një panoramë të përgjithshme të këtij fenomeni, duke e ilustruar gjithashtu edhe me përvoja të vendeve të ndryshme si SHBA, Itali, Francë etj.

Sipas tyre, duhet të ketë ndryshime edhe në kurrikulat e Akademisë së Sigurisë dhe trajnimet e posaçme, por natyrisht që barra nuk i duhet lenë plotësisht vetëm Policisë së Shtetit. Për parandalimin e krimeve të tilla duhet një bashkërendim i shumë institucioneve.

Për parandalimin e këtyre ngjarjeve të rënda, merr një rëndësi shumë të madhe edhe informacioni në terren dhe bashkëpunimi i qytetarëve, të cilët duhet të sinjalizojnë dhe raportojnë veprimtari të dyshimta dhe shqetësimet që ata mund të kenë lidhur me ekspozimin dhe ndikimin e familjarëve, të njohurve apo anëtarëve të komunitetetve të tyre. Psikologët luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm në këtë drejtim, duke i kushtuar një vëmendje dhe trajtim të kujdesshëm shqetësimeve të paraqitura, sidomos ato lidhur me të miturit dhe personat vulnerabël.

Përfaqësues të medias, të cilët kanë ndjekur dhe raportuar raste të tilla të shënuara në vendin tonë, theksuan rolin dhe përgjegjësinë e personave të dyshuar si nxitës të akteve me pasoja të rënda (izolimi social, abuzimet seksuale, vrasja e kafshëve në rite okulte dhe vetëflijimi i ndjekësve të tyre). Sipas tyre, rrjetet sociale kërkojnë vëmendje të shtuar për parandalimin e thirrjeve, organizimit të veprimtarive të dyshimta e të rrezikshme dhe kryerjen e krimeve të tilla.