Nga Elda Shabani

“Sa deti ka valë, sa qielli ka yje, aq urimet e mia për ty, këtë doja që ta dije!”
Urim shqiptar
“Në Krishtlindje, të gjitha rrugët të çojnë në shtëpi!”
Urim botëror

Është e habitshme të zbulosh kultura të ndryshme vendesh e popujsh me anë të një kartoline. Të mund të përfytyrojmë një periudhë kohore thjesht duke parë urimet e dikujt. Ky është roli ikonik I kartolinës që ka ndikuar në afrimin e njerëzve duke shkurtuar në një fare mënyre distancat gjeografike për më shumë se 150 vjet. Kartolinat këmbehen gjatë gjithë vitit. Ato janë përdorur për të dërguar mesazhe të fshehta dashurie, për të rritur moralin e ushtarëve në luftë, e në raste të tjera të veçanta, por asgjë nuk i afrohet atmosferës dhe magjisë festive të fundvitit. Kartolina I përket një tregu të madh që plotëson një nevojë apo dhe një dëshirë për të ndarë urimet mes miqve dhe familjarëve në një mënyrë praktike dhe të përballueshme. Sot kjo nevojë është po aq e rëndësishme sa ishte kur ato u prezantuan për here të parë rreth dy shekuj më parë. Që atëherë, ato janë bërë pjesë e pandarë e festave dhe kanë mbetur si të tilla, pavarësisht faktit se shumica e komunikimit tonë është zhvendosur në mediat dixhitale.

Tradita e kartolinave të Krishtlindjeve filloi në Anglinë Viktoriane. Në atë kohë, Krishtlindjet festoheshin me gosti dhe shkëmbim dhuratash. Kombinimi I kartës vizitë (ftesë) në gjysmën e parë të shekullit të 19-të tek aristrokacia dhe letrat të cilat u dërgoheshin familjarëve të tyre nga studentët, zakonisht për t’i përditësuar ato mbi studimet e tyre, solli kartolinën e parë të krishtlindjeve. Ato ishin personale, të punuara me dorë, relativisht të lira dhe kërkonin më pak kohë sesa shkrimi i një letre.

Megjithatë, shkëmbimi i kartave të Krishtlindjeve nuk filloi deri në vitet 1840, kur Mbretëresha Viktoria publikoi një punim me gdhëndje që tregonte festimet e Krishtlindjeve në rezidencën e saj në Windsor. Në 1843, kartolina e parë e Krishtlindjeve u porosit dhe u shtyp në Londër nga nëpunësi civil dhe sipërmarrësi Henry Cole. Më pas, si rezultat i industrializimit, njerëzit kishin më shumë mundësi të përballonin blerjen e kartolinave me çmim shumë më të lirë. Në vitin 1875, kartolina e Krishtlindjes bëri kërcimin përtej oqeanit Atlantik për të krijuar traditën më të madhe të kartolinës të Krishtlindjeve në botë.

Vitet më të arta për kartolinën ishin vitet ‘20. Ato u zbukuruan me Dizajne dhe stile të ndërlikuara ornamentesh. Dhe më pas erdhi shkatërruesi i të gjitha formave të komunikimit të shkruar dhe vizual- interneti. Me teknologjinë, u duk sikur e ardhmja e kartolinës u zhduk. Është e vërtetë që kartolinat e urimit nuk dërgohen si më parë dhe ndikimi i mediave dixhitale – kartat elektronike dhe mediat sociale ka qënë I madh. Por si çdo gjë e keqe ka një të mirë të madhe. Frika e viteve të fundit është kthyer në një shpresë për traditën e kartolinës e cila është dhe e ardhmja. Njerëzit po përdorin teknologjinë dixhitale për të përmirësuar kartolinat e tyre përshëndetëse duke besuar në vlerën e saj nga ku e ka dhe origjinën. Nuk eshtë çudi pse akoma preferohen ende imazhet e hershme të kartolines: Ëngjëj, Babagjyshi me bredhin mbi supe etj. Një kategori jo e pakët konsumatorësh e shohin kartolinën si një urë komunikim më afektiv. Madje kompanitë e mëdha nuk po injorojnë rëndësinë e të dyjave duke I dhënë prioritet personalizimit. Interneti, mediat sociale, zënë një vend jo të pakët në këtë atmosphere festash, por nuk mund të zëvendësojnë një kartolinë, apo emocionin që të dhuron zarfi me kartolinën brënda saj e një urim me shkrim dore adresuar ty.