Kryeministri Edi Rama ndodhej këtë të martë në Kalanë e Beratit ku zhvilloi një dëgjesë publike me qytetarë e sipërmarrës në fushën e turizmit për Bonusin e Rijetëzimit, që përmes një ndihme në formë granti i shkon individit por edhe të gjithë komunitetet që përfiton nga rijetëzimi i qytetit.

Kalaja e këtij qyteti është rijetëzuar, ndërsa përsa i përket problemeve të pronësisë mes familjarëve, Rama ka një thirrje që ti japin fund mosmarrëveshjeve midis tyre dhe objekti i përbashkët të përdoret për biznes, pasi do të kenë edhe një bonus 50 mijë dollarë dhuratë nga shteti që bashkuar edhe me paratë që do hedhë subjekti do përdoren për rregullimin e tyre.

Kryeministri, i paralajmëron banorët që nëse nuk do të zgjidhin çështjet mes tyre, atëherë qeveria do të ndërhyjë me masa shtrënguese, siç janë gjobat, për rastet kur godina të rëndësisë të veçantë vihen në rrezik nga sherret e bashkëpronarëve që nuk merren vesh me njëri tjetrin!

“Kalaja e Beratit do jetë prioritet, rijetëzimi i Kalasë do jetë si ti shtosh Beratit një tjetër motor ekonomik. Problemet e pronësisë janë të brenda midis familjarëve, do thoja miqësisht në vend që të ziheni me njëri tjetrin dhe objekti rri pa përdorur bini dakord të përfitoni nga bonuset dhe rrugës shikoni se kur do zgjidhni çështjen tuaj. Të ardhurat ndahen sipas hapësirave të vënë në dispozicion. Nuk është një gjë për sot as pas dy vjetësh, ne do të ndërhyjmë me masa shtrënguese për rastet kur godina të rëndësisë të veçantë vihen në rrezik nga sherret e bashkëpronarëve që nuk merren vesh me njëri tjetrin. Ne mendojmë të stimulojmë bashkëpunimin mes familjeve për të vënë në jetë godinat”, u shpreh Kryeministri.

Bonusi do jetë në dispozicion të të gjithëve, shton më tej kryeministri, duke shtuar se kjo është është një mënyrë për të rritur turizmin dhe të ardhurat.

“Sa më shumë shpi të tilla të transformuara të kemi, por edhe destinacione që ka të bëjë me zejet, artet, dyqane e me radhë aq më shumë turistë do të kemi, se do të kemi kapacitet mbajtës, ky është qëllimi që tu japim mundësi të kenë një hartë me disa stacione dhe në çdo zonë të Shqipërisë të programojnë më shumë se vajtje ardhje brenda një dite. Do rrisim edhe të ardhurat. Kjo ndodh edhe me disa ndërhyrje që po bëhen në Berat dhe Gjirokastër. Brenda pak javësh, do doja para Vitit të Ri, do të kemi kantieret këtu të gjithë zonës poshtë, që do transformojnë të gjithë pjesën që është sheshi i makinave, në krahë të sheshit kryesor, apo sheshi përpara objekteve të kultit këtu kur vjen për kala në një zonë tjetër nga pikëpamja cilësore”, tha Rama.