Juventusi ka vendosur: do të afrojë një qendërsulmues dhe një mesfushor në merkaton e janarit. Ky është plani për të bërë një ekip më të ngjashëm me idetë taktike të Allegrit dhe të aftë për të rinisur garën për një vend në Champions League. Arsyetimi është i patëmetë.

Edhe në një kohë vështirësie ekonomike, por jo vetëm, duhet investuar, sepse paratë e shpenzuara në janar mund të kthehen me interes në rast të marrjes pjesë në Ligën e Kampionëve. Gjithsesi, ideja bazë mbetet huazimi, jo shpenzimi i menjëhershëm. Sa iu takon blerjeve, gjithçka do të shtyhet për në qershor kur gjërat do të jenë më të qarta.

Në këtë drejtim, është e qartë se shanset për të marrë Vlahovic në janar janë reduktuar në zero. Sulmuesi serb nuk dëshiron të largohet nga Firence në janar dhe Juventusi nuk ka burime për ta tunduar Fiorentinën me një superofertë, apo ta bindë me një pagë 7 deri në 8 milionë euro. Operacioni është shumë i shtrenjtë dhe i pamundur në këtë moment.

Pak si të mendosh për Scamacca. Kushton më pak se Vlahovic, sigurisht, por Sassuolo kërkon jo më pak se 30 milionë dhe nuk dëshiron ta shesë në janar. Gjithashtu, për këtë arsye, ideja për të rikthyer Mauro Icardin në Itali është tashmë në krye të listës së Nedved dhe Cherubini.

Lojtari tashmë ka dhënë dritën jeshile për transferimin e tij në Torino, ditët e fundit do të kishte pasur gjithashtu një kontakt mes bashkëshortes-menaxhere të tij Wanda Nara dhe Juventusit për të përcaktuar detajet e transferimit. Juve po negocion një huazim nga PSG deri në qershor, me të drejtë blerjeje. Për Icardin, mundësia është interesante, të paktën në planin e arsyeve personale.

Kjo është mundësi e mirë e shkëputjes me ambientin parizien dhe PSG, ku nuk është parë kurrë me shumë simpati, aq më tepër pas lidhjes private që e solli një hap larg ndarjes me Wanda. Arsyeja e dytë është futbolli. Argjentinasi duhet të riniset, te PSG është tani zgjedhje e tretë. Juventusi e ka ndjekur Icardin për një kohë të gjatë. Ishte folur në disa raste, madje edhe për një shkëmbim me Dybala, të projektuar nga Marotta, por në fund sulmuesi argjentinas zgjodhi të ikte nga Interi te PSG.

Icardi mund të jetë ai njeriu i zonës, me sens goli, i aftë për të finalizuar punën teknike të Juventusit, që sot zor se gjen rrugëdalje. Operacioni padyshim intrigon, edhe nëse hezitimet janë gjithmonë të njëjta, sepse duke marrë Icardin duhet të marrësh të gjithë pakon. Me paketë nënkuptojmë gruan e tij, Wanda Nara, bashkë me dëshirën për t’u shfaqur në botën e rrjeteve sociale dhe thashethemet e një jete private gjithmonë të ndezur, që tashmë kishin trazuar mjedisin e Interit.

Klubi bardhezi është i vetëdijshëm për këtë, por situata konsiderohet e menaxhueshme. Me PSG, megjithatë, operacioni mund të jetë i dyfishtë, sepse Wijnaldum, një tjetër nga lojtarët e pakënaqur, është gjithashtu i pëlqyer nga “Zonja e Vjetër”. Holandezi luan pak dhe mezi pret të ketë një shans apo një mundësi. Gjithashtu, edhe në këtë rast Juventusi mendon huazimin deri në qershor me të drejtë blerjeje.

Për qendërsulmuesin ka edhe mundësi të tjera. Cavani është ofruar. Ai do të mbushë 35 vjeç, dëshiron të luajë më shumë se sa në Manchester. Uruguajani i është ofruar edhe Barcelonës, ​​por problem mbetet paga shumë e lartë në raport me moshën. Uruguai kërkon 5 milionë neto dhe një kontratë 2-vjeçare.