Një komitet këshillimor i qeverisë izraelite rekomandoi që njerëzit mbi moshën 60 vjeç dhe stafi mjekësor të marrin një dozë të katërt të vaksinës kundër koronavirusit.

Kryeministri Naftali Bennett theksoi se ”qeveria do të dëgjojë këshillat e ekspertëve” dhe u kërkoi të gjithëve të marrin dozën tjetër.

”Ky është një lajm i mrekullueshëm që do të na ndihmojë të kapërcejmë valën Omicron që po përfshin botën”, tha ai në një deklaratë.

“I kërkoj të gjithëve që plotësojnë kriteret e vendosura nga anëtarët e komisionit: shkoni dhe vaksinohuni. Merrni përgjegjësinë për shëndetin dhe jetesën e të gjithëve ne. Vaksinat shpëtojnë jetë”, shtoi kryeministri.

Pavarësisht se kanë një fillim më të hershëm se pjesa më e madhe e botës, vetëm 59% e 9,4 milionë izraelitëve konsiderohen të vaksinuar plotësisht, që do të thotë se ata kanë marrë tre doza ose janë ende brenda gjashtë muajve nga doza e dytë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 32 për qind nuk kanë marrë kurrë një vaksinë.