Përshëndetje z. Arbana.
Janë bërë plot dy vjet nga tërmeti i 26 Nëntorit. Mund të na paraqisni një situatë të përgjithshme si ka ecur rindërtimi, sa familje janë futur në shtëpinë e re?

Procesi i Rindërtimit ka ecur mjaft mirë, madje përtej pritshmërive. Duhet të kemi parasysh që muajt e parë të pandemisë u ngadalësua disi procesi, detyrimisht. Më pas është punuar intensivisht për t’i dhënë falas shtëpinë e re individuale 802 familjeve. Gjithashtu dhe apartamentet e 27 pallateve në Shijak janë rikonstruktuar dhe sistemuar të gjitha dëmet.
Kemi ndërtuar nga e para 4 shkolla dhe kopshtin nr.1

Po pallatet e tjera kur pritet të përfundojnë?

Janë 31 pallate që pritet të përfundojnë në muajin mars të vitit 2022. Ndërkohë familjet e pastreha po vazhdojnë të marrin bonusin e qerasë.

Cili do të jetë prioriteti i bashkisë për vitin 2022?

Patjetër që përfundimi i pallateve të nisura, sfida për një Shijak sa më të pastër dhe mbjellja e sa më shumë pemëve.

Cilët kanë qenë donatorët kryesorë për rindërtimin e Shijakut?

Fatmirësisht solidarizimi ka qenë maksimal, që në momentet e para kur ra tërmeti, strehuam njerëzit dhe i dhamë tre vaktet e ngrohta.
Kryeministri Rama dhe Qeveria shqiptare kanë qenë mbeshtetje e madhe për shijakasit. Rindërtimi riktheu shpresën e humbur.
Qeveria zviceriane ka qenë nga donatorët e granteve të rikonstruksionit të një pjese të pallateve në Shijak. Jam falenderues për këdo që na ka ndihmuar në momentet tona më të vështira dhe ka treguar solidaritet ndaj familjeve të pastreha.

Ndonjë mesazh për banorët e Shijakut?

Doja t’i falenderoja për durimin që kanë treguar deri tani, durim i cili do të shpërblehet shumë shpejt, me një ndryshim rrënjësor që po i bëjmë qytetit pas tërmetit, për ta parë Shijakun më të zhvilluar dhe më të bukur.