Politika në vend është e fokusuar te përçarja në Partinë Demokratike dhe dy Kuvendit Kombëtare, njëri i thirrur nga ish-lideri demokrat Sali Berisha dhe tjetri nga kryedemokrati Lulzim Basha.

Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Berisha do të mbahet nesër në “Air Albania”, ndërsa Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Basha është planifikuar të mbahet në Pallatin e Kongreseve në 18 dhjetor. Ndërkohë, kjo periudhë ka qenë me akuza të ndërsjellta mes dy politikanëve.

Ilir Yzeiri, në analizën e tij, thotë se “kjo është historia e një krimineli në pushtet (për Berishën)”.

“Media e ka thënë me kohë, tani amerikanët ia thanë në sy. Mjafton të kujtojmë ’97-ën, mjafton të kujtojmë ‘Gërdecin’. Amerikanët kanë thënë ju mund të bëni ç’të doni me të, ne nuk kemi punë.

Ajo që po i ndodh Berishës sot mund të krahasohet me një figurë stilistike që quhet oksimoron, që vë pranë dy fjalë me kuptime të kundërta. Dashuri e urrejtshme apo urrejtje e dashuruar. Në stadiumin ‘Air Albania’, do të shikoni të shpaloset pikërisht kjo figurë”, u shpreh analisti, i ftuar në “Top Talk”.

Ndërsa Bashën, nga ana tjetër, e cilëson si “zgjatim mediokër të ish-kryeministrit.

“Basha, atë famë që ka fituar tani, e ka fituar për shkak të konjukture që është krijuar. Basha ama është ai që ka qenë, një nga liderët më të paaftë që ka pasur Partia Demokratike.

Basha u vu për të ruajtur godinën e PD-së nga Berisha. Basha ishte zgjatimi mediokër i Berishës. Berisha investoi që Basha nga një hiç politik të vijë në krye të Partisë Demokratike”.

Sipas Yzeirit, Berisha u prek thellë kur u shpall ‘non grata’ dhe aty pa që fëmija i tij nuk ishte ia që kishte ndërtuar. Basha, duke mos qenë karakter i fortë, i besoi më shumë instiktit të frikës.

Përtej politikës, analisti bën një koment për shqiptarët. “Shqipëria nuk shpëton kurrë. Shqiptarët do të shpëtojnë kur të rregullohen nga mend e kokës. Nuk është rregulluar asnjë vend nga ndërrimi i udhëheqësit, kur të rregullohen vetë”, thotë ai.