Kryeministri Edi Rama është nderuar sot me çmimin e ‘Vital Voices Global’, ndërsa në ceremoninë e marrjes së çmimit nuk kanë munguar as batutat epike të Kryeministrit shqiptar.

Ndërsa mori fjalën, Kryeministri tha se sipas ‘zërit jetik’ në familjen e tij, duke ju referuar kështu bashkëshortes së tij, modestia nuk është forca e tij, ndërsa në sallë u dëgjuan të qeshurat nga të pranishmit.

“Përpara se t’ju them ato që duhet të them, dua t’ju tregoj se, sipas Vital Voice (zërit jetik) në familjen time, gruas sime, Linda, modestia nuk është pika ime e fortë. Kështu që, kur më dëgjoni që ju them se ndihem jo vetëm i përulur, por edhe i sëkëlldisur për këtë nderim të jashtëzakonshëm që më bëhet, e mendoj kështu vërtetë sepse më duket një shenjë mjaft alarmuese për botën në të cilën jetojmë, kjo dëshirë e madhe për të vlerësuar një gjykim bazik të arsyeshëm. ”, u shpreh Rama.

Kryeministri shton më tej: “Përpara sesa të mbërrinte Sekretarja Klinton, “hija” që e ndjek pas, hije fort e bukur, meqë ra fjala – Huma Abedin, më takoi dhe më tha “ti je hero”. Sigurisht të vjen mirë të dëgjosh fjalë të tilla nga një grua aq e mrekullueshme, por unë nuk jam hero. Nuk është kurrëfarë heroizmi të mos u kthesh kurrizin njerëzve që rrezikojnë të vdesin”.