Gjykata e Lartë ka vendosur të rrëzojë rekursin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit që i hapi rrugë rihetimit dhe gjykimit të tij për dosjen Gërdeci.

Kur dorëzoi rekursin, avokati Ardian Visha argumentoi se vendimi është antikushtetues dhe cenon parimin e gjësë së gjykuar, sa kohë një kërkesë për rigjykim është rrëzuar më herët nga Gjykata e Tiranës dhe Apeli i saj.

Nëpërmjet avokatit të tij, Mediu pretendoi se vendimi ishte në shkelje të ligjit, të parimit të gjësë së gjykuar duke iu referuar faktit se një gjykatë më e vogël prishi vendimin e Gjykatës së Lartë.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) regjistroi procedim penal ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu, për çështjen e Gërdecit për veprat penale: “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues.

Mediu akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me tragjedinë e Gërdecit ku nga shpërthimi i punishtes së demontimit të armëve mbetën 26 të vrarë dhe qindra të plagosur.