Kryeministri Albin Kurti, përmes një postimi në facebook, ka uruar Krishtlindjet. Kreu i qeverisë ka postuar një foto nga zyra e kryeministrisë, ndërsa bie në sy drita e fikur. Po ashtu të fikura janë edhe dritat e pemës. Mesazh ky që besohet se ka të bëjë me kursimin e energjisë, për shkak se vendi gjendet në krizë të thellë energjetike dhe po përballet me reduktime. Krizën energjetike, Kurti e përmendi edhe në shkrim përmes të cilit uroi festën. “Besoj se jemi të ndërgjegjshëm bashkarisht për kushtet në të cilët na ka vendosur pandemia, për realitetin kompleks global, për krizën energjetike, ku dritën e gjejmë nëpër festa të këtilla. E, sinqeriteti, puna dhe ndjenja e përbashkët janë çelësi i çdo suksesi në jetën e secilit prej nesh. Ne do të jetojmë gjithnjë në rrethanat e kohës, por mendimi, vullneti duhet të ushqehen prej besimit. Nuk ka shpresë pa besim”.

Mesazhi i plotë: Vëllezër e motra të krishterë, gëzuar! Ju uroj nga zemra mbarësi! Ju uroj një mbrëmje të shkëlqyer në ngrohtësinë familjare dhe të miqve. Qoftë një vit i suksesshëm për të gjithë ju. Besoj se jemi të ndërgjegjshëm bashkarisht për kushtet në të cilët na ka vendosur pandemia, për realitetin kompleks global, për krizën energjetike, ku dritën e gjejmë nëpër festa të këtilla. E, sinqeriteti, puna dhe ndjenja e përbashkët janë çelësi i çdo suksesi në jetën e secilit prej nesh. Ne do të jetojmë gjithnjë në rrethanat e kohës, por mendimi, vullneti duhet të ushqehen prej besimit. Nuk ka shpresë pa besim.

Besimi është themeli që na e ofron çdo fe neve si popull, andaj dhe ne e respektojmë njëri-tjetrin, në fe e në praktikë. Ne e dimë mirë se dashuria mes nesh është virtyti më i lartë i njeriut. Pasuria jonë kulturore, rrënjosur në traditën tonë popullore, në vetëdijen tonë kolektive për një fat të përbashkët. Me këtë përvojë të madhe kombëtare ndërfetare ju urojmë motra e vëllezër katolikë, ortodoksë, protestantë e ungjillorë shqiptarë më të mirën. Sepse, kjo ditë është ajo e lindjes së bartësit të mesazhit të dashurisë ndër njerëz.

Shpreh besimin e thellë se si shoqëri ne do të punojmë që urimet që ju i adresoni sot njëri-tjetrit, si dhe urimet që ne u adresojmë sot juve, të marrin në vitin e ardhshëm sa më shumë realitet. Gëzuar Krishtlindja!