Nga Namir Lapardhaja/ “Foltorja” në vetvete është një lëvizje pa të ardhme. Ajo është e destinuar të dështojë. Më 11 dhjetor do të arrijë pikën maksimale të vlimit dhe, me kalimin e dehjes, gjithçka do të zbehet dhe gradualisht do të rikthehet normaliteti.

Duke mos qenë një lëvizje e sinqertë, një aksion i nxitur nga e mira e përbashkët dhe domosdoshmëria e një ndryshimi pozitiv brenda vetes, irritimi, frustrimi dhe indinjata e një grupi të vogël nuk do të mund të mbysë shumicën e heshtur të demokratëve, të cilët sigurisht që kërkojnë ndryshim, por jo përçarje; kërkojnë përmirësim të vetes dhe partisë së tyre, por jo konflikt asgjësues; kërkojnë një parti shpresëdhënëse dhe alternativë të besueshme, por jo një bunker për mbrojtjen e interesave të personave të caktuar.

“Foltorja” është e destinuar të dështojë, sepse ajo ngrihet mbi mashtrimin dhe jo mbi gjykimin racional dhe, siç shprehet Hannah Arend-i, “gjykimi politik është kapaciteti për të bërë dallimet e duhura”, gjë që i mungon sot më shumë se kurrë narrativës së kësaj lëvizjeje. Janë artikuluar aq shumë mashtrime dhe të pavërteta gjatë kësaj periudhe saqë edhe ndonjë e vërtetë me rëndësi e thënë në të, është mbytur në detin e gënjeshtrave.

E ngritur mbi populizmin, sot ajo po i jep gjithçka që demokratët duan të dëgjojnë, mirëpo, pas datës 11 dhjetor, i gjithë ky konsum ligjërimor do të shpërndahet në eter, duke mos pasur asnjë pikë ku të kanalizohet, asnjë vesh të dëgjohet dhe asnjë institucion ku të zbatohet.

Kjo sherrnajë e organizuar, ka mundësi që aktualisht ta vendosë në siklet Partinë Demokratike, madje edhe ta dobësojë disi, sepse “populizmi është i thjeshtë, demokracia është e ndërlikuar”, mirëpo, kurrsesi, nuk mund dhe nuk duhet të ketë sukses një lëvizje e udhëhequr nga parimi “pas meje qameti”, sepse inati nuk bën gjë tjetër vetëm se helmon trupin e vet.

“Foltorja” do të dështojë, sepse e gjithë narrativa e saj është ekstremisht e polarizuar bardhezi në dikotominë “të mirë-të këqinj”, mbështetësit e saj janë demokratët e vërtetë, kurse ata që nuk e mbështesin janë “armiqtë e demokracisë”, të shitur dhe pengje të kundërshtarëve politikë. Qoftë edhe për këtë ligjërim përjashtues dhe aspak përbashkues, kjo lëvizje nuk i nevojitet shoqërisë.

Partia Demokratike do duhet të mbijetojë, të forcohet dhe të shtojë radhët e saj edhe në drejtim të elektoratit gri duke pranuar dhe duke inkurajuar diversitetin dhe të ndryshmen, gjë që do të thotë se një narrativë puniste vetëm se do ta tkurrte edhe më shumë këtë parti politike.

Sali Berisha, si udhëheqës dhe frymëzues i “Foltores”, paradoksalisht, është njëkohësisht pika më e fortë dhe më e dobët e saj.

Ai është figura e vetme që e frymëzon dhe e mban në këmbë këtë lëvizje, duke qenë “garant” i të gjithë pakënaqësisë rrotull tij, gjë që nuk mund ta bënte askush tjetër.

Por, në të njëjtën kohë, zoti Berisha është shkaktari kryesor se pse “Foltorja” është e destinuar të dështojë, për shkak të problemit zanafillor të arsyes për të cilin ajo ka lindur.

Zoti Berisha mund të frymëzojë një pjesë të vogël të demokratëve, por ai refuzohet nga shumica e shqiptarëve; ai mund të bëjë për vete një pjesë të zhurmshme, por shoqëria ka nevojë për alternativë të paqme dhe konstruktive; ai mund të hedhë akuza dhe të trillojë ngjarje, por njerëzit e kanë dëgjuar edhe më herët të thënë prej tij se e ka bërë për arsye politike.

“Foltorja” është pa të ardhme pas datës 11 dhjetor, sepse ajo është një lëvizje antikohore. Koha është në disfavorin e saj. Të gjithë të tjerët kanë kohë të mjaftueshme për të rikuperuar dhe për të përmirësuar vetveten përveçse udhëheqësit të “Foltores”.