Numri në rritje i të infektuarve me koronavirus në botë la nën hije festën e Krishtlindjeve, në vitin e dytë më radhë.

Shumë kisha u desh të anulonin shërbimet e parapara për festë dhe mijëra plane udhëtimesh po ashtu u anuluan derisa njerëzve u është kërkuar edhe njëherë të respektojnë rregullat për distancë dhe bartje të maskës.

Në Betlehem- qytetin palestinez në Bregun Perëndimor – për të cilin të krishterët besojnë se është vendlindja e Jezusit, megjithatë pati disa ceremoni.

Daullistët e gajdexhitë parakaluan nëpër qytet më 24 dhjetor derisa turma e njerëzve, shumë më e vogël se zakonisht, shikonte. Në anën tjetër në Izrael është në fuqi ndalimi për fluturime, gjë e cila i mbanë turistët larg vendit.

Para pandemisë në Betlehem mblidheshin mijëra njerëz e pelegrinë të krishterë nga e gjithë bota.

Kjo është hera e dytë me radhë që Krishtlindjet shënohen nën masat e rrepta kundër përhapjes së pandemisë.

Një mori veturash, që bartnin patriarkun e Jerusalemit, Pierbattista Pizzaballa, megjithatë morën rrugë në Jerusalem. Pasi arriti në sheshin Manger, para Kishës së Lindjes në Betlehem, Pizzaballa mbajti meshën e mesnatës.

Ndërkaq në Vatikan, Para Françesku kremtoi Natën e Krishtlindjeve përpara një turme të limituar me rreth 2 mijë njerëz, tek Bazilika e Shën Pjetrit. Të gjithë përpos Papës kishin maska në fytyrë.

Papa, parakaloi deri tek altari kryesor i Kishës Sistine derisa kori i kishës këndonte duke shënuar kështu festën modeste në Vatikan.

Papa tha se Jezusi, i lindur, në varfëri do të duhej të përkujtonte njerëzit që t’ju shërbesh të tjerëve është më e rëndësishme sesa të kërkosh status ose paraqitje sociale apo të kalosh gjithë jetën në kërkim të suksesit.

Papa Françesku gjatë meshës së Krishtlindjes në Vatikan.

“Në këtë natë të dashurisë duhet të kemi vetëm një frikë: të mos ofendojmë dashurinë e Zotit duke e lënduar nëse urrejmë të varfrit me indiferencën tonë”, tha Papa Françesku.

Megjithatë, 2 mijë njerëz që ishin lejuar brenda kishës ishin shumë më shumë se 200 të cilët u lejuan të ndiqnin meshën në vitin 2020 kur Italia në kohë Krishtlindjeje ndodhej në izolim total.

Por kjo shifër mbetet shumë e vogël kundrejt kapacitetit të Kishës së Shën Pjetrit e cila zë deri në 20 mijë njerëz.

Në kohën para pandemisë kisha do të ishte e mbushur me njerëz për liturgjinë më masive të vitit në Vatikan.

Festa e Krishtlindjes këtë vit rastisi në kohën kur numri i të infektuarve me variantin Omicron të koronavirusit po rritet shpejt, dhe la në hije bashkimet e planifikuara familjare. Omicroni madje solli edhe masat e rrepta kundër përhapjes së pandemisë.

Varianti i ri i koronavirusit pengoi shumë udhëtime e pushime, derisa mijëra fluturime në botë tashmë u anuluan që nga 24 dhjetori, njoftoi ueb-faqja Flightaëare.com.

Disa fluturime në SHBA u anuluan për shkak të numrit të madh të të infektuarve me koronavirus brenda stafit të kompanive ajrore.

Ndërkaq në Evropë disa shtete imponuan masat e rrepta të cilat pengojnë gëzimin e festës.

Holanda është kthyer në izolim, derisa Spanja e Italia detyruan bartjen e maskës edhe në ambiente të hapura.

Sërish më 24 dhjetor, Franca e Britania shënuan numër rekord të të infektuarve brenda ditës me COVID-19. Rrjedhimisht, qeveritë e të dyja shteteve u bënë thirrje qytetarëve që të marrin edhe dozën e tretë përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit.

Në SHBA, presidenti, Joe Biden e shoqëroi bashkëshorten e tij, zonjën e parë, Jill Biden në një vizitë në Spitalin e Fëmijëve në Uashington.

Çifti bashkëbisedoi me pacientët dhe mjekët derisa një djaloshi i treguan fotografinë e Komandantit, qenushit të ri të Shtëpisë së Bardhë.

Më pas çifti Biden, i ulur afër pemës së Krishtlindjes dhe lexoi një libër për fëmijët, të inspiruar nga filmi i animuar “Frozen”.

Numri në rritje i të infektuarve me COVID-19 megjithatë nuk është aq shqetësues për amerikanët sa për t’i penguar që të mos udhëtojnë për t’i takuar të dashurit e tyre. Nuk e ndali as Babadimrin.

Edhe fluturimi i Babadimrit u mundësua në hapësirën ajrore të Kanadasë, pas testit negativ ndaj COVID-19 dhe dëshmisë së vaksinimit të plotë, njoftoi ministri i Transportit i Kanadasë.

Komanda e përbashkët amerikano-kanadeze për hapësirë ajrore (NORAD) u mundësoi qytetarëve të gjurmojnë drejtpërdrejt udhëtimin e Babadimrit në një ueb-faqe të posaçme, derisa po udhëton nëpër botë./REL