Nga Adriatik Doçi/ Disa nga politikanët shqiptarë kanë shfrytëzuar maksimalisht privilegjet e pushtetit për të shtuar pasuritë e tyre. Nga të dhënat e reja të siguruara nga Shqiptarja.com rezulton se deputeti dhe ish-ministri Fatmir Mediu, i cili mund të merret i pandehur nga SPAK për Gërdecin, ka përfituar një kredi të butë për strehim, duke blerë një vilë në Kavajë. Në vitin 2003, Mediu ka blerë për 65 mijë USD vilën në Kavajë me sipërfaqe 135 m2, mbi një truall 292 m2. Për të mbuluar vlerën, Mediu ka marrë 5 milionë lekë (rreth 50 mijë USD) kredi tek ish Banka e Kursimeve, me vendim qeverie, për strehimin e zyrtarëve të lartë, ndërsa diferencën e ka mbuluar me kursime. Mediu ka në pronësi edhe një apartament 191 m2 në Tiranë.

Referuar deklaratave të pasurive të deputetëve rezulton se kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, është bërë pronar me 25 % i godinës së ish ndërmarrjes së famshme të përpunimit të drurit, me sipërfaqe 1 600 m2. Ish ndërmarrja është privatizuar nga vjehrri i Shpëtim Idrizit, i cila më pas ua ka dhuruar të afërmve. Mes përfituesve rezulton edhe dhëndri i tij, Shpëtim Idrizi. Bashkë me bashkëshorten e tij, Enkela Idrizi, e cila punon si këshilltare e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Idrizi deklaron edhe dy apartamente në Tiranë dhe Durrës. Kreu i PDIU ka në pronësi edhe një makinë Benz Fouristradë me vlerë 55 mijë euro etj.

Deputeti i PD-së, Edi Paloka, përpos të tjerave, deklaron se në vitin 2011 ka marrë 4 milionë lekë ose rreth 40 mijë USD dhuratë nga babai. Këto para i ka përdorur për të blerë një apartament. Ndërkaq, Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, deklaron 4 dynym tokë në Dropull, makinë me vlerë 25 mijë USD si dhe një apartament 176 m2 në Tiranë, me vlerë 88 mijë euro.

Deputeti i LSI-së, Agron Çela thotë se është pronari i Kafes së Madhe në Shkodër, blerë për rreth 1 milionë euro. Çela deklaron edhe rreth 500 mijë USD aksione në kompaninë ‘Xhenis-Sh’, kaluar më pas në pronësi të bashkëshortes Belma Çela. Deputeti deklaron edhe 10 pasuri të tjera të paluajtshme blerë për 4.6 milionë euro. Këto para deputeti thotë se i ka marrë borxh tek kompania e tij. Çela deklaron ndërtesë 349 m2, troje etj. Bashkëshortja e tij Belma Çela deklaron apartament 152 m2, me vlerë 100 mijë euro në Ulqin, makinë Range Rover 147 mijë euro, makinë 42 mijë euro, makinë Benz 120 mijë euro etj.

Agron Çela është një nga deputetët më të pasur të Kuvendit të Shqipërisë. Por, Çela nuk më i vetmi. Disa nga deputetët më të pasuar janë pa dyshim Agron Shehaj, Leart Duraj, Ramadan Likaj, Bujar Leskaj, Arben Ahmetaj, Rrahman Rraja, Benet Beci, Fatjon Veizaj, Tritan Shehi, Agron Duka etj. /Shqiptarja.com

 

https://shqiptarja.com//uploads/ckeditor/61ca0a6d06523Dhurata%20p%C3%ABr%20Palok%C3%ABn.pdf

 

https://shqiptarja.com//uploads/ckeditor/61ca0a90833bePasuria%20Agron%20Cela_001.pdf

 

https://shqiptarja.com//uploads/ckeditor/61ca0abba03daPasuria%20e%20Shp%C3%ABtim%20Idrizit_001.pdf

 https://shqiptarja.com//uploads/ckeditor/61ca0ae2a69fbPasuria%20e%20Fatmir%20Mediut_001.pdf