Emigrantja Evi Kokalari shprehu besimin se Sali Berisha do të jetë kryeministri i ardhshëm i shqiptarëve që do të integrojë vendin në Bashkimin Europian dhe do e bëjë Shqipërinë si Amerika. Gjatë fjalës së mbajtur nga Kuvendi i PD-së që po zhvillohet në “Air Albania”, ajo tha se sot është fillimi i PD-së konservatore. “Falenderoj të gjithë demokratët që firmosën dhe erdhën këtu për të shkarkuar Lulzim Bashën. Basha e pati vetëvrasjen politike më 9 shtator kur vendosi të nxjerrë zotin Berisha nga grupi parlamentar. Unë ju garantoj që zoti Berisha i cili do jetë kryeministri i ardhshëm që do ta fusë Shqipërinë në komunitetin evropian. Dua t’ju them që unë nuk e dua Shqipërinë si Evropa, por e dua si Amerika. SHBA është aleatja jonë më e mirë dhe nuk flas për aleatët që i kanë dalë në krah Bashës dhe elementëve të George Soros”, u shpreh.

Kokalari tha se sot është ndryshuar metoda se si PD do votojë me të drejtën e votës dhe të zgjedhjes së kryetarit. “Që këtej e tutje do kemi meritokraci në PD”, u shpreh. Kokalari falenderoi Berishën për forcën dhe energjinë që solli në parti dhe për faktin që sipas saj, e mbajti fjalën për ta shndërruar PD-në në një parti konservatore.

Kokalari ishte ndër 29 emrat që u miratuan nga Kuvendi i sotëm si pjesë e komisionit që sipas statutit të ri të PD-së (të miratuar më herët nga Kuvendi), do të drejtojë në mënyrë të përkohshme partinë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.