SHBA-ja shpreh mbështetjen e fuqishme për integrimin e shpejtë evropian të Maqedonisë së Veriut dhe po punon me partnerët evropianë që të sigurojmë që kjo të ndodhë sa më shpejt, deklaroi sot zëvendësndihmëssekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në MV.

“Maqedonia e Veriut është pjesë e Evropës, pjesë kulturore, historike dhe ekonomike e Evropës dhe duhet të keni një karrige në tryezën e BE-së. Në Këtë pikëpamje do të vazhdojmë t’i mbështesim përpjekjet tuaja”, theksoi Escobar.

“Ne ndajmë vlera të përbashkëta të cilat janë në bazë të strategjisë sonë të vlerave të veçanta. Falënderoj Maqedoninë e Veriut për mbështetjen e vazhdueshme dhe përkushtimin në NATO”, shtoi Eskobar në konferencën e përbashkët të shtypit me shefin e diplomacisë maqedonase, Osmani.

“SHBA-ja mbetet partnerja jonë strategjike dhe aleate e besueshme. Interesat tona strategjike janë 100 për qind njësoj me interesat e SHBA-së”, tha Osmani.

Edhe presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski u takua sot me zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar dhe ku u shkëmbyen mendime për marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së si dhe për gjendjen në rajon.

Pendarovski vlerësoi se dy shtetet në vazhdimësi kultivojnë dialog produktiv politik dhe shprehu bindjen se marrëdhëniet dypalëshe do të vazhdonin të zhvilloheshin me dinamikë akoma më të fuqishme.

Pendarovski gjithashtu theksoi edhe rëndësinë e mbështetjes së fuqishme dhe të vazhdueshme nga SHBA-ja në realizimin e qëllimeve strategjike të shtetit ballkanik, që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot.

Lidhur me aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, presidenti Pendarovski e riafirmoi pritjen për fillim sa më të shpejtë të negociatave për anëtarësim duke theksuar se zhbllokimi i procesit integrues do të reflektohet pozitivisht ndaj stabilitetit të përgjithshëm dhe zhvillimit të rajonit.

Pendarovski falënderoi për mbështetjen e administratës amerikane, dhe personalisht zëvendësndihmëssekretarin Escobar, lidhur me nevojën për përparim të vendeve nga rajoni drejt BE-së.

Ai theksoi përkushtimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si anëtarja më e re e NATO-s, të kontribuojë për sigurinë dhe mbrojtjen e vlerave të komunitetit euro-atlantik.