Kryetari i Parisë Demokratike Lulzim Basha, ka komentuar përgjatë një interviste të dhënë për News24, takimin që ai pritet të ketë gjatë kësaj jave me të dërguarin special të SHBA-ve për Ballkanin, Gabriel Escobar.

Basha theksoi se vizita e Escobar në Shqipëri dhe në vendet e rajonit është tregues se administrata e Departamentit Amerikan të Shtetit ka në prioritet të saj luftën kundër korrupsionit. Sipas kryedemokratit, pikërisht kjo të jetë dhe thelbi i bisedës që ai do të kryejë me të dërguarin special të SHBA-ve.

Gjithashtu Basha cilësoi ardhjen e Escobar si një sinjal të amerikanëve se qëndrimet e tyre në lidhje me shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Berisha nuk janë personale të individëve të caktuar, por qëndrime zyrtare të politikës së jashtme amerikane.

Pyetje: Pritet që në Shqipëri të vijë këtë jave i dërguari special nga SHBA, Escobar ku do te zhvilloje takim me kryeministrin Edi Rama dhe ju. Zoti Basha çfarë pritshmërish keni ju me ardhjen e zotit Escobar në ditën që do të zhvilloni ne dritën e marrëdhenieve te reja që Partia Demokratike ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Lulzim Basha: Më vjen mirë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rikthyer në vëmendjen e tyre si çështje themelore luftën kundër korrupsionit. E kanë bërë këtë në një kontekst më të gjerë se Shqipëria, por në veçanti për Shqipërinë ka shumë rëndësi, sepse ky është dhe problemi kryesor i Shqipërisë, korrupsioni, pandëshkueshmëria e politikanëve të korruptuar, janë burimet kryesore të të keqes së shqiptarëve, të gjendjes ekonomike, të papunësisë, të mungesës së shpresës së popullsisë në tërësi dhe të rinjve dhe të rejave shqiptare në veçanti. Ndaj këto do të jenë patjetër në fokus të bisedës sime me zotin Escobar, siç kanë qenë edhe në fokus të diskutimeve të mia me partnerët Amerikanë, që kanë ardhur, ju keni parë delegacionet të senatit Amerikan, të kongresit Amerikan dhe në veçanti nisma tona siç janë reforma zgjedhore, siç është vettingu i politikanëve dhe siç është propozimi i fundit, që do të paraqesim, ai për dënimin, ashpërsimin e dënimeve sipas modelit Italian, deri në 22 vjet burg për politikanët e zgjedhur me votat e krimit, po në veçanti po kështu dhe lufta kundër korrupsionit, që po i merr frymën Shqipërisë dhe që po shkatërron mirëqenien e Shqiptarëve dhe shpresat e shqiptarëve.

Pyetje: Z. Basha ……..

Lulzim Basha: E para e punës, nuk ka 2, por ka një kuvend dhe ai është më 18 dhjetor, është kuvendi i Partisë Demokratike. Ngjarjet e tjera janë pa diskutim, zhvillime të cilat kanë rrjedhur nga shpallja non-grata e zotit Berisha dhe për këtë qëndrimet Amerikane janë të qarta. Iluzioni se këto janë qëndrime të personalizuara, me të cilin ushqen zoti Berisha disa njerëz apo mbështetës të tij, pra i keqpërdor në këtë mënyrë, ka përgjigje dhe besoj edhe vetë vizita e zotit Escobar është në këtë aspekt një tjetër sinjal i qartë që këtu nuk bëhet fjalë për qëndrime personale. Por ne duhet ta tejkalojmë këtë, ne nuk mund të mbetemi peng i një debati të stisur për hallet personale të Sali Berishës. Detyra e Partisë Demokratike, është ti prijë shqiptarëve në përballje me rrëgjimin. Detyra e Partisë Demokratike është të pastrojë politikën nga krimi, të dënojë autorët e masakrës zgjedhore, të afrojë një orë e më parë ditën kur shqiptarët ti rikthehen kutive të votimit, për të zgjedhur një parlament dhe një qeveri që iu përket atyre dhe iu shërben atyre./ BW