Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, në kuadër të zbatimit sa më korrekt të kuadrit ligjor, ka nisur verifikimin e dosjeve të mjeteve që aktualisht janë të pajisur me certifikatë miratimi të errësimit të xhamave të autoveturave.

Nga verifikimi ka rezultuar se nga subjektet, për të njëjtin shërbim, janë lëshuar certifikata ISO të prodhuesit të cilat kanë qënë afër afatit të përfundimit të vlefshmërisë, apo nuk kanë të pasqyruar siç duhet numrin e certifikimit sipas trupës akredituese që e ka lëshuar.

DPSHTRR njofton subjektet se certifikata e errësimit të xhamave nga prodhuesi duhet të përcillet përmes Formularit të Deklarimit të Subjekteve brenda datës 31 dhjetor 2021.

Mosrespektimi i këtij afati, sipas DPSHTRR-së, sjell heqjen nga lista e subjekteve të licencuara që ofrojnë shërbimin e errësimit të xhamave të autoveturave.

Gjithashtu, është e rëndësishme që kjo certifikatë të përkojë me markën e filmit të deklaruar nga subjekti.

DPSHTRR bën me dije se praktika të tilla do të jenë objekt verifikimi nga taskforca e Transportit Rrugor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale.